Policia njofton se mbrëmë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjakovë një shtëpi është kapluar nga zjarri.
Policia menjëherë së bashku me zjarrfikësit dhe ekipin mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri kishte marrë përmasa të mëdha dhe rrezikonte edhe shtëpitë tjera.
Nga zjarri janë lënduar katër qytetarë respektivisht familjarë, si dhe dy zyrtarë zjarrfikës nga Gjakova.
Policia në vendin e ngjarjes ua ka dhënë ndihmën personave të lënduar, njëkohësisht ka bërë evakuimin e banorëve të shtëpive përreth. Njëri nga personat e lënduar për shkak të shkallës së lartë të djegies është transferuar në QKUK, ndërsa të lënduarit tjerë kanë pësuar lëndime sipërfaqësore dhe janë trajtuar në emergjencën e spitalit rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë.
Njëri nga zjarrfikësit gjatë intervenimit për shuarjen e zjarrit është alivanosur nga tymi në ballkonin e katit të dytë të shtëpisë por i njëjti është tërhequr me ndihmën e zyrtarëve policorë.
Në këtë rast Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë falënderon zjarrfikësit e Gjakovës dhe ata nga Deçani, ekipin mjekësor si dhe qytetarët që kontribuuan në lokalizimin e zjarrit dhe ndihmën ndaj të lënduarve.
Dyshohet se deri tek zjarri erdhi nga shpërthimi i një bombole të gazit, ku rasti po hetohet nga Policia e stacionit policor në Gjakovë.