Aktori i njohur, Ilir Tafa, i cili aktualisht është i angazhuar në mesin e një trupe të jashtëzakonshme aktorësh në Kroaci, ku po punohet për vënien në skenë të shfaqjes “Shenjtëria e shenjtë”, është bërë shumë i dashur jo vetëm për publikun, por edhe për komunitetin artistik atje.
Ai vazhdon të jetë i ftuar në shumë gala mbrëmje artistike që organizohen në Zagreb e gjetiu, dhe i rrethuar nga figura të rëndësishme të kulturës kroate.
Raporti miqësor i Ilir Tafës me kastën e aktorëve të angazhuar në projektin e fundit teatror, shihet edhe përmes fotografive nga provat. Në shenjë respekti për aktorin Tafa dhe për shqiptarët, aktorët kroatë janë fotografuar duke na përshëndetur me simbolin tonë identifikues, shqiponjën.
Ndryshe, shfaqja “Shenjtëria e shenjtë” po inskenohet nga regjisorja Ivana Perosh, ndërsa aktori Ilir Tafa luan njërin nga rolet kryesore në këtë projekt.
Premiera e shfaqjes do të jepet më 22 tetor, në Teatrin e Zagrebit.





















