Organizata jo qeveritare “Ec ma Ndryshe”, ka shprehur shqetësimin me mos trajtimin si duhet të rastit të vdekjes së trevjeçares Xheneta Gashi në rrugën “Marin Barleti” në Prizren.
Kjo organizatë ka shprehur shqetësimi se si deri tash për këtë rast askush nga ka dhënë dorëheqje ose nuk është duke u hetuar.
“Zhvillimet brenda kësaj periudhe dëshmojnë se këto organe qeveritare nuk kanë arritur që të rrisin nivelin e tyre të përgjegjësisë në raport me Qendrën Historike të Prizrenit. Për më tepër një trup ndërinstitucional si Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit nuk është mbledhur më që prej 30 majit të vitit 2016”.
“Pikërisht në mbledhjen e fundit të këtij trupi zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës patën konfirmuar përkeqësimin e situatës në Qendrën Historike të Prizrenit dhe patën pranuar se ndikim në këtë aspekt ka pas edhe mungesa e veprimit të koordinuar dhe me kohë e organeve shtetërore”.
“Duke i marrë për bazë këto, EC konsideron se rasti i vdekjes tragjike të 3 vjeçes Xheneta Gashi në rrugën “Marin Barleti” duhet të trajtohet me urgjencë nga organet e hetuesisë dhe të drejtësisë, për arsye se dallon nga rastet e zakonshme, pasi kemi të bëjmë me neglizhencë dhe papërgjegjësi të drejtuesve të organeve qeveritare qendrore e lokale”, thuhet në komunikatë
Njëkohësisht, EC i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë në mënyrë radikale qasjen e saj të deritanishme ndaj Qendrës Historike të Prizrenit dhe të zbatoj politika konkrete për shpëtimin dhe restaurimin e monumenteve të mbrojtura dhe vendosjen e rregullit në këtë zonë, për të kontribuar kështu në rritjen e sigurisë publike dhe zhvillimin ekonomik lokal.