Mëngjesi i djeshëm nuk ishte i këndshëm për banorët e Mitrovicës së Veriut. Ata u zgjuan me krisma armësh dhe alarme që paralajmërojnë kriza. Gjithë kjo, pasi Policia arrestoi katër persona, që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, që ndodhi në janar të këtij viti. Tre prej të arrestuarve, sot Gjykata u ka caktuar masën prej 30 ditë paraburgim. Ndërkohë, që Policia ende është në kërkim të liderit të veriut, Milan Radojcic, shkruan Gazeta Express.
Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markovic dhe Marko Rosic, kanë dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi u arrestuan të premten nën dyshimin se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Atyre, Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorit, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre të arrestuarve lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Avokatët e të paraburgosurve kanë paralajmëruar se do paraqesin ankesë në Apel lidhur me caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore.
Ndërkohë, që Policia është ende në kërkim të edhe të dy personave të tjerë, që dyshohet se kanë lidhje me këtë rast.
Ndër të dyshuarit, i cili tashmë është duke u kërkuar ende nga policia e Kosovës, është edhe Milan Radojcic. Një person që ka pushtet të madh në veri të Mitrovicës. Gjithashtu, ai është edhe nënkryetar i Listës Srpska.
Atij fillimisht iu bastis shtëpia, por kapja e tij nga organet kompetente dështoi. Policia e Kosovës më pas ka njoftuar për armatimin e gjetur në shtëpitë e katër personave të arrestuar.
Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar dje në qendrën e veriut që nga mëngjesi, aty ku fillimisht u paralajmërua se do të mbahej protesta e paralajmëruar kundër taksës 100% që Qeveria e Kosovës e ka vënë ndaj produkteve serbe.
Por, në këtë lokacion, edhe pse nisën të mblidheshin protestuesit, protesta dështoi. Ajo u zhvendos në Rudar, në afërsi të Leposaviqit. E para se të nisë protesta në Rudar, në veri u krijua Shtabi i ashtuquajtur i Krizës për katër komunat serbe, të cilët më pas dolën edhe me katër konkluzione.
Kërkesat e tyre ishin që të hiqet taksa për prodhimet e Serbisë, pasi që për shkak të kësaj mase serbët do të shpërngulen nga këto hapësira; menjëherë të lirohet qytetarët e arrestuar të Mitrovicës Veriore ose të ofrohen dëshmi valide për arsyet e kapjes së tyre; të ruhet paqja dhe siguria dhe këtë ta garantojë KFOR-i dhe institucionet përgjegjëse ndërkombëtare në Kosovë; të mbahen protesta të qeta dhe paqësore njëorëshe kundër “terrorit” politik dhe policor të Prishtinës ndaj Serbëve.
Protesta megjithatë, vazhdoi edhe në dy pika të tjera në veri, pikërisht në dy rrugët magjistrale që çojnë në dy pikat kufitare, në Zupq të Zubin Potokut që çon në pikën kufitare në Bërnjak dhe në Rudare të Zveçanit që çon në pikën kufitare në Jarinje.
Gjatë protestave mbajtën fjalime edhe liderë të Listës Srpska.
I pari foli Kryetari i Veriut të Mitrovicës, Goran Rakic, i cili tha se katër serbët e arrestuar duhet të lëshohen menjëherë, edhe pse ata u arrestuan pikërisht për vrasjen e politikanit serb Ivanoviq.
“Janë dëgjuar rrafallet e shokë bombet gjatë orëve të mbrëmjes. I keni traumatizuar njerëzit që kanë qenë në gjumë”, ka thënë Rakic.
Derisa ai bëri thirrje që protesta të jetë e qetë, tha se Prishtina po u bën terror serbëve.
E Igor Simic, tha se taksa e vendosur ndaj prodhimeve serbe ndikon drejtpërdrejtë në jetën e serbëve në Kosovë.
“Ndoshta sot keni mundur të gjeni ndonjë paketë të qumështit nëpër dyqane. Por nesër nuk do të gjeni dhe kështu dita e ditës nuk do të kemi bukë për të ngrënë”, u tha ai protestuesve.
Ai tha se derisa do t’iu mungojë ushqim, serbëve nuk iu duhet as siguria dhe qetësia. Megjithatë, protesta përfundoi e qetë në orën 13:00 në këtë pjesë të veriut.
Të pranishëm në atë zonë ishin edhe automjetet e KFOR’it, dhjetëra prej tyre.
KFOR-i përmes një komunikate për media, ka deklaruar se nuk ka pasur operacione të jashtëligjshme apo veprime ushtarake dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve.
Megjithatë, KFOR’i thanë se janë të gatshëm të intervenojnë në rast se ndodhë diçka, ndonëse ata shpresojnë që një gjë e tillë të mos ndodhë./Gazeta Express