Aktuale

Një muaj paraburgim gjashtë të dyshuarve për shitje droge

Gjykata Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehureve me iniciale I.P, B.P, I.H, XH.H, L.M, dhe A.R për shkak të dyshimit se të njëjtit në bashkëveprim kanë shpërndarë dhe kanë shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë.

Masa e paraburgimit e caktuar nga Gjykata është 1 muaj, pasi të pandehurit dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, në qytete të ndryshme të Kosovës, kanë shitur substanca narkotike.

“Në periudhën kohore nga 08.05.2019 – 22.07.2019, në qytetet e ndryshme të Kosovës, në Pejë, Prizren, Prishtinë, Klinë, Ferizaj etj. duke bashkëvepruar me njëri – tjetrin, kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike që dyshohen të jenë të llojit kokainë dhe marihuanë në sasi të ndryshme, në atë mënyrë që të njëjtit paraprakisht janë marrë vesh mes vete, ku i pandehuri I.P ka siguruar përmes kanaleve të ndryshme substancën narkotike, e pastaj të njëjtën ua ka shpërndarë të pandehurve të tjerë, e këta të fundit e kanë shitur në sasi të vogla në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Themelore të Pejës.

Të pandehurve I.P, B.P, I.H, XH.H, L.M, dhe A.R iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli