Gjykata Themelore e Prizrenit, respektivisht Departamenti i Krimeve të Rënda duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji të pandehurit me iniciale B.V. nga Prizreni që vrau gruan e tij, Armenda Aliun.
Kjo masë e paraburgimit sipas Gjykatës është marrë për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par.1.pika 1.3. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 07.08.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 06.09.2019”, thuhet në njoftim.
Në raport gjithashtu përshkruhet edhe momenti i vrasjes së Aliut.
Me datë 06.08.2019, rrethë orës 23:18 minuta, në lagjen “Jeta e Re”, i pandehuri me iniciale B.V. me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij me iniciale A.A.- V. , në atë mënyrë që pas një konflikti verbal që ka pasur me viktimën i pandehuri ishte pajisur me një pistoletë të tipit “Berta”, del nga shtëpia e tij e cila gjendet në rrugën “Hysni Morina”, në lagjen “Jeta e Re” , i afrohet bashkëshortes së tij viktimës A.A.-V., e drejton pistoletën në drejtim të saj, shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç ‘rast e njëjta goditet disa herë nga predhat e shtëna, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri nga vendi i ngjarjes lajmëron policinë, e në momentin kur emergjenca vjen në vendin e ngjarjes, nga mjeku i Emergjencës konstatohet vdekja e viktimës”, thuhet në raport.
Kujtojmë se i dyshuari jetonte në Zvicër bashkë me viktimën, e në këtë kohë po qëndronin për pushime në Kosovë.