Shyqri Nimani ka hapur një ekspozitë me emrin “Një Jetë në Dizajn” për nder të karrierës së tij 55 vjeçare dhe ditëlindjes së tij të 75-të.
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës kanë marrë pjesë shumë figura të njohura të artit dhe pikturës.
Të pranishmit kanë thënë se punimet e Nimanit pasqyrojnë më së miri punën e tij 55 vjeçare prej një artisti të shquar.
Vetë Nimani nuk ka dashur të flas shumë për veprat e tij duke thënë se ai ka folur me punimet e tij tash e 55 vjet.
Megjithatë hapjen e kësaj ekspozite Nimani e ka lidhur me shenjtërimin e Nënës Terezë që u bë më 4 shtator në Vatikan.
Ai premtoi se do të vazhdojë punën e tij prej artisti derisa të ketë shëndet dhe jetë.
“Ky është vetëm një rrugëtim që e bën një përmbledhje 55 vjeqare por pastaj do të punoj nëse I madhi Zot më jep shëndetin. Meqë Nënë Tereza na bëri krenar sidomos me 3 dhe 4 shtator në koncertin në Vatikan… Para gjashtë viteve e kam krijuar një pikturë për Nënnë Terezën dhe në një citat e kam shënuar ‘Ad Hominem’ që në shqip i bjen ‘Koha Jonë’ e që koha jonë u pa më 4 shtator 2016”, tha Nimani.
Fjalën e tij Nimani po ashtu e ka përmbyllur me një citat që Nëna Terezë e kishte thënë sa ishte gjallë e që sipas tij përket me jetën e tij.
“Ti jeton vetëm një herë por nëse jeton siç duhet një jetë është e mjaftueshme”, citon Nimani Nënë Terezën./KosovaPress/