Mangësitë ne punën e strukturave të komandës në krye të njësive të shumta të policisë dhe të ushtrisë afgane kanë çuar në rritjen anormale të numrit të viktimave në radhët e trupave qeveritare, tha të dielën gjenerali amerikan, John Nicholson, i cili drejton forcat e NATO-s në Afganistan.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për numrin e lartë të viktimave”, u tha gazetarëve gjenerali që drejton forcat amerikane në Afganistan duke theksuar se humbjet, sipas njësive dhe rajoneve, pritet të jenë ndoshta më të mëdha se ato të vitit 2015.
Vitin e kaluar, më shumë se 5 000 ushtarë dhe policë afganë u vranë dhe 15 000 të tjerë u plagosën në luftë kundër forcave talebane.
“Një nga arsyet kryesore të numrit të lartë të viktimave është lidershipi, mangësitë në strukturat e komadimit në disa shkallë. Së pari në strukturat e policisë e më pak në ato të ushtrisë”, vlerësoi ai.
“Oficerët e rinj të policisë që vdesin në pikat kufitare nuk kanë gjithmonë ushqim e ujë të mjaftueshëm e shpeshherë drejtuesit nuk janë pranë tyre”, shtoi gjenerali amerikan duke denoncuar korrupsionin në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Më shumë se 12 000 efektivë të NATO-s, nga të cilët 10 000 amerikanë, u dërguan në Afganistan, në kuadër të operacionit Resolute Support, për të trajnuar dhe mbështetur forcat afgane kundër kryengritësvë islamistë.