Aktuale

Nisma vlerëson lart procesin e sotëm zgjedhor

Anëtari i kryesisë së Nisma për Kosovën, Qerkin Dugolli, ka shprehur mirënjohje për kulturën e lartë demokratike që kanë treguar gjithë qytetarët e vendit gjatë gjithë procesit zgjedhor deri në këto momente.

Ai në një konferencë për media, është shprehur se janë në komunikim të vazhdueshëm me shtabet e tyre zgjedhore dhe se procesi zgjedhor po ecën mirë dhe pa incidente, apo me parregullsi tejet të vogla që nuk e prishin këtë proces.

“Sa i përket procesit zgjedhor, ne jemi në komunikim të përhershëm me shtabet tona zgjedhore në nivel vendi dhe nga kjo del se ky proces ka rrjedhur mirë, në baza normale, përderisa ato parregullsi të cilat janë raportuar gjatë ditës, Nisma për Kosovën konsideron se këto nuk do të ndikojnë në procesin zgjedhor. Nisma për Kosovën inkurajon gjithë qytetarët e vendit të cilët ende nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës dhe t’i shfrytëzojnë edhe këto minuta që kanë mbetur deri në mbylljen e qendrave të votimit”, tha Dugolli.

Dugolli shtoi se Nisma për Kosovën kërkon nga trupat përgjegjëse që në këto momente të rrisin angazhimin dhe të jenë përkushtuar në përmbylljen e rregullt të këtij procesi zgjedhor, konform rregullativës në fuqi. /kp