Aktuale

NISMA: Vazhdimi i dialogut në Bruksel në interes të Serbisë, Thaçit e Mustafës

NISMA për Kosovën ka kundërshtuar vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, duke thënë se takimi është tërësisht në funksion të interesave të Serbisë dhe aspak në interes të Kosovës.

Kjo parti konsideron se vazhdimi i këtij lloji të dialogut të filluar në vitin 2011 në të cilin në vazhdimësi Kosova ka qenë objekt dhe jo palë e barabartë duhet të ndërpritet menjëherë.

“Gjithashtu, NISMA për Kosovën konsideron se vazhdimi i këtyre bisedimeve pas provokimeve dhe kërcënimeve të një pas njëshme nga ana e Serbisë duke filluar nga Asociacioni i Komunave Serbe e duke vazhduar me ndërtimin e murit që ndanë qytetin e Mitrovicës, ndalimin e Ramush Haradinajt nga Interpoli në Francë me urdhër arrest të lëshuar nga Serbia dhe provokimi me Trenin Rus nuk është asgjë tjetër pos nënshtrim ndaj Serbisë dhe shitje e interesave të vendit për interesa personale të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo parti.

Partia e Fatmir Limajt ka dhënë edhe vlerësimin se në cilat rrethana dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve duhet të vazhdojë.

“Vetëm pasi Kosova të ketë ndërtuar një platformë të përbashkët nacionale për bisedime me Serbinë dhe vetëm atëherë kur Serbia të jetë e gatshme të ulet në bisedime me Kosovën si palë të barabarta mund të fillohen bisedimet e reja”, ka theksuar NISMA për Kosovën./KosovaPress/