Menjëherë pas takimit të përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës dhe përfaqësuesit e partive politike, në ambientet e Kuvendit të Kosovës është zhvilluar edhe një tjetër takim.
Pas raportimit se lideri i Nismes Socialdemokrate, Fatmir Limaj është parë duke u takuar me anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelan Sfeçlën, ka ardhur edhe reagimi i Nismes.
Partia e Limajt përmes një reagimi publik ka mohuar të ketë ndodhur një takim i tillë.
Por, se ka ndodhur takimi mes Limajt e Sfeçlës, e kanë thënë zyrtarë të njërit prej këtyre subjekteve në kushte anonimiteti.
“Fatmir Limaj bashkë me Xhelal Sveqlën janë taku e janë tu e mbajt një takim në Kuvendin e Kosovës. Ata pak më herët e nisën këtë takim” , tha ky burim në kohën sa zhvillohej takimi.
Ky është reagimi i plotë i Nismës Socialdemokrate:
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, bashkë me drejtues të partive politike ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, z. Josep Borrell.
Kryetari Limaj në këtë takim është përshëndetur me të gjithë liderët e partive që ishin prezent në këtë takim.
Por, nuk ka zhvilluar asnjë takim ndaras me asnjë përfaqësues të subjekteve politike në Kosovë, siç u raportua në disa media gjatë ditës se sotme.