Dega e Nismës për Kosovën edhe një herë ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, se nëpërmjet një punonjësi të një banke në Drenas po shantazhon kredimarrësit.
Shefi i shtabit zgjedhor të Nismës për Kosovën , Mehdi Thaçi në një konferencë për media duke raportuar për parregullsitë gjatë votimeve, ka treguar edhe dy emra nga të cilët po shantazhohen qytetarët e Drenasit, Driton Ajazin punëtorë i një banke dhe shefi i tij Bislim Zogu. Ai tha se ata mundohen në mënyra të ndryshme t’i bindin qytetarët të cilët janë kredimarrës në atë bankë.
‘’Gjatë votimeve neve na kanë përcjellë disa probleme nga partia në pushtet, ku insistojnë me çdo kusht që njerëzit t’i shantazhojnë dhe t’i bindin që të votojnë për ta. Fillimisht desha t’iu njoftoj për vërejtjet që kemi në fshatin Stankovc, ku aty me dy automjete partia në pushtet, ne i kemi edhe me emra dhe mbiemra, Driton Ajazi një punëtorë i bankës, ku si shef e ka Bislim Zogun, në mënyra të ndryshe shantazhon njerëzit, aty ka të bëjë me njerëz të cilët janë kredi marrës në atë bankë dhe mundohet në mënyra të ndryshme t’i shantazhoj. Megjithatë ne prapë se prapë do të vazhdojmë në mënyrën më të mirë të jemi për votuesit tanë që dalin, dhe i ftojmë të dalin të votojnë pa asnjë incident pavarësisht provokimeve që kemi nga tereni’’, tha Thaçi.
Mehdi Thaçi, gjithashtu raportoi se nga fshati i kandidatit të PDK-së ka shumë pak votues. Ai tha se ata po insistojnë që me metodat e veta të dalin fitues në mënyrë të parregullt.
‘’Dalja në votim është e kënaqshme, kemi raporte nga tereni ku nga fshati nga vjen kandidati i PDK-së ka shumë pak votues, e vetmja arsye besoj që është se ata insistojnë që në orët e vona të dalin në vota, dhe qysh i kanë metodat e veta, ne mënyrë të parregullt t’i fitojnë votat dhe të bëjnë gjithçka për me arrit rezultatin. Kemi rastet në teren ku është raportuar në fshatin Nekofc që rregullisht 2 orë ose më shumë insistojnë njerëzit që kanë votuar diku tjetër,… dhe insistojnë me kusht që të votojnë dy herë’’, tha Thaçi.
Thaçi është shprehur i bindur se Nisma kësaj radhe do të fitojë për të vetmen arsye se njerëzit e kanë kuptuar se me partinë që është në pushtet nuk mund të ecin përpara./KosovaPress/





















