Aktuale

Nisma kërkon nga Kuvendi ndërprerjen e seancave deri në lirimin e Haradinajt

Partia “Nisma për Kosovën” e ka pranuar me shqetësim lajmin për shtyrjen e vendimit për lirimin e Ramush Haradinajt deri në muajin prill të këtij viti nga gjykata e Colmarit, për këtë”Nisma” kërkon që Parlamenti i Kosovës të ndërpresë mbajtjen e seancave deri në lirimin e Ramush Haradinajt, thuhet në njoftimin drejtuar mediave.

“Sidomos shqetëson fakti se kjo shtyrje është bërë siç thuhet për t’i dhënë kohë Serbisë që të sjellë gjoja ende “prova” kundër Ramush Haradinajt”- thuhet në njoftim.

“Zhvillimet e ditës së sotme në rastin e Ramush Haradinajt dëshmuan se shteti i Serbisë i ka angazhuar të gjitha mekanizmat shtetërorë në funksion të arritjes së qëllimit të tyre, që gjykata të besojë në shpifjet e tyre. Prandaj, para shtetit të Kosovës, si detyrë mbi të gjitha detyrat, shtrohet nevoja e angazhimit të të gjitha potencialeve shtetërore për t’i dalë përballë kësaj tendence të Serbisë.

“Nisma për Kosovën” kërkon që shteti i Kosovës rastin Haradinaj menjëherë ta shpallë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe konform kësaj të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Në kuadër të angazhimeve shtetërore, duhet të përfshihen të gjitha institucionet e shtetit, sepse Serbia përmes luftës kundër Ramush Haradinajt ka për synim të godasë Kosovën, prandaj Kosova nuk guxon më ta lërë Ramushin vetë në këtë përballje me Serbinë.

Në kuadër të kësaj, “Nisma” kërkon që Parlamenti i Kosovës të ndërpresë mbajtjen e seancave deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Nëse kjo nuk do të ndodhë, “Nisma për Kosovën” në shenjë proteste, do t’i bojkotojë punimet e Kuvendit të Kosovës. Përjashtim do të bëjë vetëm seanca për demarkacionin sepse këtë çështje e konsiderojmë po ashtu si një nga çështjet e interesit të lartë shtetëror. Prandaj, deputetët e Nismës e kanë për detyrë të shkojnë në Kuvend për t’i shpalosur të gjitha faktet se ky version i demarkacionit është i gabuar, dhe si i tillë i pa pranueshëm prandaj edhe duhet rrëzuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës – thuhet në reagimin e “Nismës”. /Gazeta Express