Aktuale

Nisin procedurat për largimin nga puna të Ina Verzivollit, kërkoi vota

Është kërkuar largimi nga puna i kryetares së Agjensisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Ina Verzivollit, për shkak të shkeljes së rregullave gjatë fushatës zgjedhore.

Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar të dielën nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Shqipëri.

Sipas kësaj komunikate, Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Shqipëri, Xhulieta Kërtusha, ka urdhëruar nisjen e procedurave për largimin nga detyra të kryetares së Agjensisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Ina Verzivolli.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo ministri, thuhet se sipas verifikimeve të bëra, Ina Verzivolli ka shkelur rregullat që janë të caktuara për nënpunësit civil, ku kërkohet që nënpunësit civilë, edhe kur iu lejohet pjesëmarrja në veprimtari të fushatës zgjedhore, jashtë orarit të punës, nuk mund të bëjnë fushatë për një subjekt zgjedhor dhe nuk mund të manifestojnë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.

“Me gjithë thirrjet e njëpasnjëshme për mospjesëmarrje në fushatë zgjedhore të punonjësve të administratës dhe institucioneve në varësi të MMSR-së, Znj Verzivolli ka shkelur Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 473, datë 1.6.2017. Ndërkohë Znj. Verzivolli ka publikuar në profilin e saj në rrjetin social Facebook një poster elektoral, ku i bën thirrje qytetarëve të votojnë Partine Socialiste”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Shqipëri.

Ndërkaq, duke marrë shkas nga rasti i mësipërm, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i bën thirrje të gjithë punonjësve të administratës dhe institucioneve në varësi, që të respektojnë ligjin dhe të mos përfshihen në akte që cenojnë të drejtën e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndërsa MMSR fton gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshimit për përfshirje të punonjësve të kësaj ministrie dhe institucioneve të saj, në çfarëdo shkelje të rregullave të procesit zgjedhor.