Rajon & Botë

Nisin përgatitjet për vizitën e Putinit në Turqi

Kremlini ka thënë sot se kanë nisur përgatitjet për vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin, në Turqi gjatë muajit tetor. Kjo është një shenj tjetër se Moska është e etur për t’i rivendosur marrëdhëniet tregtare, ekonomike dhe politike me Ankaranë.

 

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë përjetuan krizë në nëntor të vitit të kaluar pasi Turqia, vend anëtar i NATO’s, e rrëzoi një aeroplan luftarak rus afër kufirit turk, transmeton Express.

Rusia u kundërpërgjigj duke vendosur sanksione ekonomike ndaj Turqisë.

Në qershor të këtij viti, presidenti turk, Taip Rexhep Erdogan, kërkoi falje për rrëzimin e aeroplanit rus. E në muajin gusht, ai shkoi dhe e takoi homologun e vet rus, Putin, në Petersburg, ku të dy u pajtuan që t’i rivendosin marrëdhëniet gradualisht.

I pyetur sot nëse Putin do të vizitojë Turqinë muajin e ardhshëm, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk e përjashton një gjë të tillë para se të konfirmonte në mënyrë indirekte se një vizitë e tillë është planifikuar.

“Sapo të finalizohet e gjithë puna përgatitore, do të publikojnë një deklaratë relevante,” tha ai.

Ai nuk ka treguar datën e vizitës.