Presidenti i Republikës Bujar Nishani me një ceremoni të fshehtë ka dekoruar 67 ballistë të vrarë, gjatë përplasjes së armatosur me brigadat partizane, nën drejtimin e Mehmet Shehut.
73 vjet më parë, pikërisht në 21 tetor të vitit 1943, në Matjan të Lushnjes, në radhët e ballistëve, që akuzoheshin nga partizanët për bashkëpunim me pushtuesin nazifashist, mbetën 67 të vrarë.
Ceremonia është zhvilluar ditën e enjte në orën 11:00. Ceremonia e dekorimit është mbajtur e fshehtë nga Presidenca, sikundër u operua me dekorimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të PD-së, përfaqësues të ish-të përndjekurve, pasardhës të të vrarëve etj.
Dekorimi i 67 ballistëve nga presidenti Nishani ka shkaktuar polemika jo vetëm në radhët e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe në radhët e vetë Ballit Kombëtar.
Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e kanë konsideruar dekorimin e 67 ballistëve nga presidenti Nishani, në Divjakë të Lushnjes, si një tendencë për të ngjalluar dhe nderuar fashizmin.
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, ndonëse ka vlerësuar dekorimin e 67 ballistëve, ka akuzuar Presidentin Nishani për një mision, për përçarjen e Ballit Kombëtar.
Ndërsa, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi shkruan se ky është një akt i drejtë në raport me të vërtetën historike.
Reagimi i Artur Roshit
Dekorimi i Nacionalistëve të Lushnjës.
Dekorimi i 82 martirëve nga Presidenti i Republikës është një akt i drejtë në raport me të vërtetën historike. Ishin dokumentet e arkivit të shtetit që ju paraqitën Presidentit dhe e bindën atë për këtë veprim.
Pushkatimi i tyre nga brigada e Mehmet Shehut tregon qartë luftën civile të komunistëve për pushtet, por nuk është ky qëllimi i reagimit, sepse historianët po binden se ka një abuzim me historinë.
Sot historia nuk mund të mbulohet më me gënjeshtra bajate, sepse arkivat janë të hapura dhe njerëzit e interesuar për të vërtetën, nuk mund të shmangen më nga ajo. Kështu që, më duket një reagim skematik jashtë logjikës ai i z.Paskal Milo. Përgjigjia e tij është thjesht automatikisht si refren i të shkuarës dhe jo i realitetit të sotëm që nuk ka më një informacion të kontrolluar e selektiv mbi historinë, pra një monopol të historianëve të djeshëm.
Kapitalizmi që jetojmë sot, edhe pse “klanor” me ngadalë, por do të drejtojë shigjetën e historisë drejt së vërtetës dhe herët apo vonë martirët e Nacionalizmit (Ballit) do të ngjiten në altarin e demokracisë.