Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani gjatë vizitës në Berlin dha një intervistë ekskluzive për “Deutsche Ëellen”, në të cilën foli për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria është duke u përgatitur të anëtarësohet në të si një kontribuese, jo si konsumatore.
I pyetur mbi përparimin e ngadaltë të Shqipërisë në këtë proces, Nishani u shpreh se objektivi i të gjithë shqiptarëve për t’iu bashkëngjitur familjes evropiane, ka rëndësi parësore.
“Pse ka kaluar kaq kohë? Sepse na duhet të përgatitemi, të jemi gati. Sepse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian për shqiptarët përbën një ëndërr, është një objektiv politik, është një përkushtim shoqëror. Nga ana tjetër na duhet të bëhemi gati, të përgatitemi, sepse duam shumë të bëhemi pjesë e kësaj familjeje, por të anëtarësohemi si kontribues, jo si konsumatorë. Kështu që ky është një proces dhe mbi këtë na duhet të mbështetemi”, tha Nishani.
Ai u shpreh se do t’i bindin partnerët që Shqipëria sot është gati për të qenë pjesë e kësaj familjeje dhe që do t’i japë asaj disa kontribute.
“Së pari, ndihem krenar që një shumicë e madhe e popullit shqiptar reflekton dhe paraqet një vullnet të fuqishëm dhe qëllim për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje, sepse beson shumë në parimet, vlerat dhe civilizimin e kësaj familjeje. Nga ana tjetër, ne jemi tërësisht të angazhuar e të përkushtuar që të përmbushim detyrat dhe përgjegjësitë tona duke punuar së bashku me partnerët e tjerë dhe duke u përgatitur që Shqipëria një ditë të jetë gati për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje”, u shpreh Nishani.
Sipas tij, është e nevojshme që shoqëria evropiane të kuptojë pikësëpari se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit i përkasin në mënyrë të natyrshme identitetit evropian.
“Kjo është tepër e rëndësishme, sepse na duhet të rrisim mirëkuptimin me njëri-tjetrin. Së dyti, mendoj se Evropa duhet ta mbajë gjallë këtë proces – procesin e integrimit evropian për Shqipërinë, dhe jo vetëm për të, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse procesi i integrimit evropian ka qenë, dhe ende është mekanizmi më i mirë për të gjitha vendet dhe kombet në këtë rajon kaq të vështirë, për ripajtim mes tyre, për të arritur begatinë e për të punuar së bashku”, tha Nishani.
Shqipëria si dhe vendet e tjera, vijoi Nishani, mund të kontribuojnë shumë duke shtuar e rritur shërbimin ndaj sigurisë.
“Në ditët e sotme, hapësira evropiane po përballet me shumë çështje shqetësuese si terrorizmi, valët e emigracionit të paligjshëm, refugjatët, e gjëra të tilla të ngjashme, ndryshimet klimaterike, varfërinë, kështu që si një krah i zonës evropiane, Ballkani, përfshi edhe vendin tim, Shqipërinë, mund të shërbejnë për të zgjeruar fushën e bashkëpunimit dhe të sigurisë. Me një fjalë, Ballkani dhe vendi im është udhëkryqi më i mirë për shkëmbimin e mallrave dhe bashkëpunimin ekonomik mes Evropës dhe kontinenteve të tjera. Kështu që besoj se ka një mundësi të vërtetë për kontribut nga vendi im dhe te vendet e tjera”, tha Nishani