Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.
Koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN), ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.
Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, në një prononcim për KosovaPress, ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së sotme, duke thënë se e njëjta është thirrur në mënyrë të njëanshme. Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave. Ai dje ka paralajmëruar se në këtë seancë do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum. Ndryshe, ky është vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.