Aktuale

Nis shpërndarja e shpërblimit për bebet në Tiranë

Të gjitha shpërblimet prej 5 mijë lekë për lindjen e fëmijëve kanë filluar të jepen nga Bashkia e Tiranës. Ditën e enjte janë hedhur pagesat e prapambetura për lindjen e fëmijëve për më shumë se 70% të vogëlushëve në Tiranë.

Bëhet fjalë për pagesat prej vitit 2011 deri në vitin 2015, të cilat nuk ishin dhënë prej vitesh nga bashkia e kryeqytetit. Kur bashkinë e drejtonte Lulzim Basha, pagesat për shpërblimin e bebeve nuk janë dhënë.

Në momentin që kryebashkiaku Veliaj mori detyrën, u shpreh se do jepeshin pagesat nga vitit 2015 e mbrapa, duke bërë që fëmijët të cilët kishin lindur në harkun kohor 2011-2015 të mos merrnin shpërblimin.

Por duket se qeveria ka zgjidhur këtë çështje pasi në aktin normativ të miratuar në fillim të dhjetorit, përpos shpërblimeve të fundvitit, parashikonte edhe dhënien e të gjitha shpërblimeve për fëmijët. Ligji thotë se çdo fëmijë merr një pagesë prej 5 mijë lekë kur lind. Në vitet 2011-2015 kjo pagesë nuk është dhënë në Bashkinë e Tiranës, por edhe në disa bashki të tjera.

Të gjitha çiftet që kanë lindur fëmijë nga viti 2011-2015, në llogaritë bankare që kanë dorëzuar për të marrë shpërblimin për bebet, kanë 5 mijë lekë shtesë prej ditës së enjte. Shpërblimi është shpërndarë nga Thesari i Shtetit në llogaritë bankare të familjeve.

Siç duket sot fëmijë që janë në moshën 5 apo 6 vjeç, do të marrin shpërblimin që u jep shteti dhe bashkia kur kanë lindur. Pavarësisht se këta vogëlush janë gati për të shkuar në shkollë, vetëm sot do të arrijnë të marrin shpërblimin e lindjes.

Bashki e Tiranës e ka konfirmuar dhënien e shpërblimeve për pjesën më të madhe të njësisë administrative. Janë më shumë se 5 mijë fëmijë që kanë marrë tashmë shpërblimin e lindjes.

Bashkia thekson se janë kryer pagesat për vogëlushët e lindur në vitit 2011- 2015, ndërkohë që vijon procesi për pjesën tjetër. Shpërblimet Shpërblimi i prapambetur për vogëlushët do të jepet në të gjithë vendin.