Ekonomi

Nis punimet Simpoziumi i parë ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”

Të shtunën në prani të qindra profesionistëve e studentëve të drejtimit të Stomatologjisë, filloi punimet Simpoziumi i parë ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, që ka për qëllim edukimin cilësor, informimin dhe trajnimin e profesionistëve dhe studentëve të drejtimit të stomatologjisë, me të arriturat aktuale të shkencës dhe teknologjisë aplikative.

Në simpoziumin ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, profesionistët e lëmenjve të ndryshëm të stomatologjisë do të prezantojnë punën e tyre edukative, shëndetësore, hulumtuese e shkencore.

Në këtë simpozium do të paraqiten edhe ligjërues të huaj janë, si Roberto Cameriere , kryetar i projektit “Age Estimation”, Luz Andrea Velandia Palacio nga Columbia, Henri Diederich nga Luksemburgu,  Jean-Marc Dersot nga Franca, Marin Vodanovic  e Ivan Galic nga Kroacia, dhe Roberto Scrascia nga Italia.

Në kuadër të hapjes solemne, për veprimtari jetësore, u nderuan me mirënjohje prof. Rifat Ymeri, prof. Beqir Lupqi, si dhe për prof. Roberto Cameriere. Prof. Ymerit dhe prof. Lupqit, kjo mirënjohje iu nda për kontribut në edukimin e gjeneratave të reja, promovimin dhe ruajtjen e shëndetit oral të popullatës, si dhe kontributit të tyre në themelimin e departamentit të Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Ndërsa Prof. Cameriere, kjo mirënjohje iu nda për suksesin e arritur në kuadër të Projektit për Përcaktim të Moshës “ÁgEstimation” në nivel ndërkombëtar.

Simpoziumi do të përfundojë punimet ditën e hënë, me realizimin e aktiviteteve edukuese e promovuese, së bashku me fëmijët e parashkollorë të shkollës fillore “Model” në Prishtinë, ku edhe do të shënohet zyrtarisht “Dita e Dentistëve”, 6 marsi .

Ndryshe, duke marrë parasysh se simpoziumi organizohet për nder të Ditës Ndërkombëtare të Dentistëve, ky projekt do të jetë tradicional, duke iu dhënë në këtë mënyrë vendin e merituar dhe respektin ekspertëve të stomatologjisë për kontributin në ruajtjen e shëndetit oral, edukimin e gjeneratave te reja, ngritjen profesionale si dhe afirmimin shkencor dhe hulumtues.