Aktuale

Nis procesi për plotësimin e Ligjit për Këshillin Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

Deputetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës dhe procedurën e hartimit të legjislacionit, sipas kërkesës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civilë, kanë ndërmarr nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civilë të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës ka vendosur që e tërë përbërja e tij të jetë pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit.

Kryetar i Këshillit, Shkëmb Manaj, në emër të institucionit e falënderon Komisionin që ka marr parasysh kërkesën e Këshillit si dhe shpreh gatishmërinë që Këshilli të jetë pjesë aktive e hartimit të Ligjit të ri për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civilë, i cili do të ndikojë që të shkurtohen afatet e vendimmarrjes në Këshill, të shtohen sanksionet ndaj personave përgjegjës për moszbatimin e vendimeve dhe rekomandimeve të Këshillit, si dhe shumë çështje tjera që ndikojnë në thjeshtëzimin e procedurave dhe avancimin e rolit të Këshillit në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të shërbimit civilë./KosovaPress/