Pas përfundimit të rinumërimit të votave të disa vendvotimeve në Dragash dhe Rahovec, ka filluar numërimi i votave me kusht dhe postë për Prishtinën dhe Prizrenin.
Këtë e bëri të ditur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila ftojë mediat që të përcjellin 18 tavolinat në të cilat vendosen votat, në mënyrë që ky proces të jetë sa më transparent.
“Desha t’iu njoftoj se në këto momente fillon numërimi i votave me kusht dhe votave me postë për Prishtinën dhe Prizrenin. Për Prishtinën do të numërohen në 11 tavolina, ndërsa për Prizrenin në 7 tavolina. I ftoj mediat që nga afër t’i vëzhgojnë dhe t’i transmetojmë live këto numërime”, tha ajo.
Votat me kusht do të jenë vendimtare për fatin e këtyre dy komunave, pasi që kandidatët që u përballën në balotazh, aktualisht ndodhen në margjina të ngushta.
Ndryshe, numërimi i votave me kusht dhe postë për komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit u bë i mundur vetëm pasi Gjykata Supreme vendosi që këto dy komuna të mos shkojnë në rinumërim./KP