Aktuale

Ngritet aktakuzë ndaj policit nga Suhareka, kjo është arsyeja

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër Xh. K. nga Komuna Suharekës për veprat penale, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “ Lëndim i rëndë trupor”, si dhe, “Lëndim i lehtë trupor”.

Rasti ka ndodhur më 22 gusht të vitit të kaluar në Suharekë, ku i pandehuri Xh. K., në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdor detyrën dhe autorizimet publike, duke keqtrajtuar e fyer rëndë personalitetin e të tjerëve, këtu të dëmtuarve H.G., A.G., dhe Q. Xh nga Suhareka.

Përderisa të dëmtuarit ishin duke hipur në makinën e tyre në parkingun e një restoranti, i pandehuri fillimisht iu kërkon dokumentet e identifikimit, dhe përderisa njëri prej tyre nuk e kishte me vete dokumentin, i njëjti nervozohet dhe e godet në kokë, ku pastaj të tre të dëmtuarit i hip në makinën e policisë, kështu ku edhe gjatë rrugës për në stacionin e policisë, i ofendon e i godet ata.Stacionin policor në Suharekë, i ndan në dhoma të veçanta, ku secilin prej tyre,  duke i kapur për fyti, i ofendon, dhe i godet me grushte në kokë, bark dhe gjoks.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka përmbushur elementet e veprave penale të cekura më lartë.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prizren, dega Malishevë, që i pandehuri Xh. K., të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.