Aktuale

Ngërçi politik në Maqedoni, takohen Ali Ahmeti e Zoran Zaev

Aktivitetet dhe deklaratat e shumicës së re parlamentare në drejtim të zhbllokimit të Kuvendit janë intensifikuar, kurse në kuadër të kësaj u takuan edhe dy liderët Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, por partitë vazhdojnë të mbajnë të fshehur strategjinë që do të zbatojnë.

Megjithatë Alsat mëson se kreu i LSDM-së ka marrë garanci të plotë nga Ahmeti për mbështetjen ndaj hapit të ardhshëm për zhbllokimin e institucionit ligjvënës gjegjësisht zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. Publikisht dy partitë, deklaruan se do të veprojnë si shumë e koordinuar kurse zgjidhja mund të pritet në çdo moment.

“Ka takime të rregullta mes kryetarëve të partive politike që formojnë shumicën kështu që nuk ka asgjë për t’u habitur që të ketë takime të përditshme mes Ahmetit dhe mandatarit të ri Zaev. Bisedimet janë në kuadër të shumicës e cila e fitoi besimin e qytetarëve. VMRO-DPMNE-ja është e kaluar prandaj bisedimet do të vazhdojnë vetëm mes shumicës. Çdo ditë është e mundur zgjedhja e kryetarit të Kuvendit”, deklaroi Lupço Nikollovski nga LSDM.

Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së, tha se kjo parti me vendimin e saj për të mbështetur dhe për të qenë pjesë e shumicës parlamentare e ka bërë shumë të qartë se do të përkrah dhe do të qëndrojë pas iniciativave të cilat nënkuptojnë zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe të Qeverisë së shumicës.

“Është situatë mjaftë e rënduar dhe normalisht, durimi i njerëzve, i punës por edhe zhvillimeve në vend e bëjnë akoma më insistuese nevojën që kjo të përfundojë”, tha Arifi.

Megjithatë VMRO-DPMNE-ja thotë se nuk do të heqë dorë nga rezistenca ndaj çdo iniciative kurse LSDM-ja dhe partitë shqiptare do të përballen edhe me revoltën e qytetarëve.

Kreu I kësaj partie Nikolla Gruevski deklaroi se populli është mashtruar me platformën e Tiranës.

Vazhdimi i tetëmbëdhjetë i seancës konstituive u ndoq me interesim të madh nga mediat megjithatë u zhvillua dhe u mbyllë në mënyrën e zakonshme, me replika dhe kundër-replika kryesisht mes vetë deputetëve të VMRO-DPMNE-së pa ndërhyrjen e LSDM-së./Alsat M/