Nga të shtënat që kanë ndodhur sonte në qendër të Parisit, mes policisë dhe një sulmuesi, ka ndërruar jetë edhe polici i dytë, i cili kishte mbetur i plagosur gjatë sulmit.
Fillimisht ishte raportuar për vdekjen e një polici, plagosjen e një tjetri dhe vrasjen e sulmuesit.
Sulmi ka ndodhur në pjesën më të frekuentuar të Parisit, avenynë “Champs Elysees”, e cila pas të shtënave është mbyllur për qarkullim.
Deri tek incidenti ka ardhur kur një i ri i panjohur ka shtënë ndaj policëve. Sulmuesi është vrarë në aksionin policor, njoftojnë mediat.
Policia franceze përmes rrjetit shoqëror “Twitter” njoftoi qytetarët, se një aksion i madh policor është në rrjedhë dhe u ka bërë thirrje që t’i shmangen kalimit në aveny, transmeton KosovaPress.