Gjykata Themelore e Prizrenit, ka njoftuar se u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, të pandehurve E.F. dhe E.Z. që të dy nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
Sipas njoftimit të dërguar mediave, masa e paraburgimit për të pandehurit do të llogaritet prej datës së arrestimit më14.06.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 14.07.2019.
Të dyshuarit, me datën 14.06.2019, rreth orës 20:00, në Prizren, në rrugën “Wiliam Woker” , saktësisht para banesave të tyre të përbashkëta, në bashkëveprim, i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarit me iniciale M.S.
“Përleshja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me shqetësimin ndaj fëmijëve të lagjes nga ana e të dëmtuarit. Kur i dëmtuari ka qenë duke ecur në oborrin e ndërtesës i pandehuri me iniciale E.F. i thotë se ‘pse po më shikon shtrembër’, në atë moment i pandehuri E.F. fillon ta sulmoj fizikisht me grusht të dëmtuarin, po ashtu edhe i pandehuri me iniciale E.Z. e sulmon fizikisht me grusht të dëmtuarin me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të konstatuara në raportin mjekësor”, thuhet në njoftim.