Prej 1 janarit të vitit 2018 asnjë mjek dhe asnjë specializant nuk do të mbetet pa punë, ndërsa asnjë pacient nuk do të paguajë për barnat esenciale.
Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës që i bëri sot Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë, përderisa theksoi se për të gjitha këto do të marrë përgjegjësi politike që nga janari i vitit të ardhëm.
Ai tha se Klinika e Onkologjisë është shembull i punës së mirë, përkundër numrit të vogël të mjekëve. Veseli po ashtu theksoi se është përgjegjësi e institucioneve që të përkrahin shëndetësinë maksimalisht.
“Nuk do të ketë punëtorë shëndetësorë pa punë, nuk do të ketë specializant që do të punojnë 36 orë për të mbajtur familjet e tyre, në të njëjtën kohë pa pagesë. Ata do të paguhen. Specialistë më nuk do të ketë pa punë. Për këtë marrim përgjegjësinë politike nga data 1 janar. Rritet numri i punëtorëve shëndetësorë edhe në sektorin e infermierisë. Në të njëjtën kohë, derisa të futet ligji për sigurime shëndetësore, barnat esenciale, nuk do të ketë pacient në Republikën e Kosovës për të cilat do të paguajnë”, tha Veseli.
I pyetur se a po përdoret çështja e ndërtimit të spitalit të Ferizajt për çështje politike, Veseli u shpreh se spitali në Ferizaj do të duhej të ishte përfunduar kaherë.
“Spitali i Ferizajt do të duhej të ishte i përfunduar moti, për arsye se e meriton. E dyta, për me e ditë është edhe një aspekt emocional që nëse nuk të prekë ty, më prek mua. Në prill-qershor të vitit 1999, ka qenë spitali i vetëm, i cili ka trajtuar edhe zonën operative të Drenicës dhe zonën operative të Pashtrikut. Mos e politizoni, spitali do të ndërtohet”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka shprehur përkrahjen e tij për Klinikën e Onkologjisë, me ç’rast tha se do të fokusohen të ndihmojnë maksimalisht atë dhe shëndetësinë në tërësi.
Ai tha se do të shtojnë numrin e mjekëve, në mënyrë që t’iu përgjigjen nevojave të pacientëve, të cilat shpeshherë kanë mbetur pa përgjigje për vite me radhë.
“Çfarë ne dëshirojmë të bëjmë është të japim një gatishmëri tonën që të jemi pranë pacientëve, pranë mjekëve. Ashtu siç u tha, do ta rishikojmë listën esenciale dhe do ta bëjmë mbulimin, në mënyrë që pacientëve t’iu japim atë që kanë nevojë e që janë ilaçet. Ne kemi reflektuar edhe me numrin e mjekëve dhe infermierëve, prandaj do ta shtojmë edhe numrin e tyre në mënyrë që të jemi të gatshëm që gjatë vitit 2018-të t’u përgjigjemi nevojave, të cilat kanë qenë shpeshherë të pa përgjigjura për vite me radhë”, tha ai.
Ndërsa drejtori i Onkologjisë, Ekrem Hyseni shprehu mirënjohje për mbështetjen e marrë nga Ministria e Shëndetësisë për mbulimin 100 për qind të listës esenciale të barnave, gjë që sipas tij, do të ndikojë në përmirësimin e jetës së pacientëve.
“Lista esenciale do të jetë e mbuluar thuajse 100 për qind dhe po ashtu ilaçet e tjera të nevojshme, pas rishikimit të listës, të cilat për ne janë të domosdoshme. Kjo do të ketë ndikim në cilësinë e jetës së pacientit dhe mendoj që pas një kohe të shkurtër do të jetë e prekshme, do t’i shohim rezultatet, dhe do të jetë kënaqësi e jona”, u shpreh ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Basri Sejdiu tha se do të japin maksimumin si mjek që pacientët të trajtohen në spitalet publike dhe të mos dalin jashtë Kosovës. /kp