Aktuale

Neziri: BDI humb me Gruevskin, gjasat për koalicion mbesin me Zaevin

Ka mbetur edhe pak orë për tu marrë vesh nëse Nikola Gruevski me partinë e tij VMRO-DPMNE, do të formojë qeverinë edhe për një tjetër mandat në Maqedoni.

Kjo do të varet ekskluzivisht nga vendimi partisë më të madhe shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të Ali Ahmetit.

Kryesia e BDI-së, ka mbledhur sot këshillin e partisë, në të cilin pritet të merret vendimi për koalicionin e ardhshëm qeveritar, ku kjo parti tashmë është në mes katër opsionesh:

Qeverisje me VMRO-DPMNE-në, qeverisje me LSDM-në, një qeveri e zgjeruar teknike apo,  qëndrimi në opozitë dhe zgjedhje të reja në pranverë.

Njohësit e çështjeve në vend, thonë se e ardhmja e Maqedonisë është në duart e BDI-së.

Për analistin politik Xhelal Neziri, vendimi i BDI-së për të bashkëqeverisur edhe njëherë tjetër me Nikola Gruevskin, do të ishte i gabuar, dhe do të kishte pasoja të rënda për vet partinë, e cila në zgjedhjet  e fundit doli me një rezultat të përgjysmuar nga ai paraprak.

“Mesazhi që BDI mori në zgjedhjet e fundit është i qartë. Kjo parti mori dënimin maksimal, duke përgjysmuar numrin e votave dhe deputetëve, pikërisht shkaku i legjitimimit të projekteve korruptive dhe etnocentriste të VMRO-DPMNE-së. Vazhdimi i koalicionit qeverisës me këtë parti do të mund të interpretohej edhe si konfirmim i zërave se BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti janë në hipoteka te partia e Nikolla Gruevskit. Kjo do të dëmtonte edhe më shumë pozicionin e BDI-së në skenën politike të Maqedonisë, gjë që do të dukej që në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në maj të këtij viti”, ka vlerësuar Neziri për KosovaPress.

Sipas tij, gjasat më të mëdha janë që Ali Ahmeti të zgjedhë LSMD-në e Zoran Zaevit, për koalicionin e ardhshëm qeverisës, pasiqë kjo parti shihet si ‘një e keqe më e vogël’ në sytë e shqiptarëve atje.

“BDI është para një vendimi historik. Në duart e saja është ardhmëria e vendit. Pra, është në një udhëkryq ku zgjedhja e njërës nga opsionet do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për këtë parti. Është fakt se shqiptarët janë shumë të pakënaqur nga qeverisja e VMRO-DPMNE-së dhe kanë një simpati mbase edhe latente ndaj LSDM-së opozitare. Andaj, gjasat më të mëdha janë të lidhë koalicion me LSDM, por pa përjashtuar edhe opsionet tjera”, tha Neziri.

Analisti Neziri, e ka quajtur lojë të humbur  deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, duke thënë se  është BDI-ja është ajo e cila e inicioi, dështoi ta implementojë, ndërsa tani rrezikon edhe t’i tradhtojë partitë e tjera shqiptare me marrëveshjen e arritur eventuale me VMRO-DPMNE ose LSDM-në.

“Platforma shqiptare ishte një iniciativë e BDI-së për të betonuar legjitimitetin e lëkundur në zgjedhje. Partitë opozitare shqiptare u futën në këtë lojë me sugjerimet e Tiranës dhe Prishtinës, por ka gjasa të pësojnë humbje të mbështetjes në opinion shkaku i naivitetit me të cilin u futën në këtë lojë. Në fakt, Platforma nënkupton Marrëveshjen e Ohrit të cilën nuk arriti ta implementojë BDI-ja gjatë 14 viteve në pushtet. Pra janë pikat e pazbatuara të këtij dokumenti, për të cilat përgjegjësi duhej të mbante BDI. Natyrisht se partitë që ranë në këtë kurth politik do ta quajnë tradhti marrëveshjen eventuale BDI-VMRO apo BDI-LSDM, por në fakt ato janë shtyllat e saj”, tha Neziri.

Kujtojmë se afati i fundit për mandatarin Gruevski skadon sot në orën 24 në mesnatë.

Kryesia e BDI-së  nga ora 14:00 janë duke mbajtur takimin, ku nga kjo parti kanë deklaruar se çdo opsion është i mundur,  por e vetmja gjë për të cilën nuk do të bëhet kompromis është çështja e gjuhës shqipe./KP