Aktuale

Nënshkruhet udhëzim administrativ për kontrollimin teknik të automjeteve

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Kontrollimin Teknik të Automjeteve. 

Në një njoftim për media thuhet se me këtë udhëzim janë përcaktuar kushtet, kriteret dhe procedurat për marrjen e licencës për kontrollimin teknik të automjeteve.

“Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është krijimi i lehtësirave administrative-teknike dhe ligjore për subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari, duke iu mundësuar qasje të barabartë e jodiskriminuese dhe krijimin e një tregu të lirë në këtë fushë. Me ndryshimet dhe plotësimet e bëra përmes këtij akti nënligjor hiqet barriera e marrjes së pëlqimit për hapje, ulja e tarifave për licencim dhe përtrirje të licencës, heqja e kufizimit të numrit të caktuar të automjeteve për hapje të qendrës për kontrollimin teknik të automjeteve, që është në përputhje me vendimin nr. 17/44, date 12.08.2015, të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi eliminimin e të gjitha kushteve – kritereve që kufizojnë konkurrencën e lirë.”, thuhet në njoftim./KP