Aktuale

Nënkryetarja e Kuvendit i reagon Thaçit për gjendjen e jashtëzakonshme

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci i ka reaguar presidentit Hashim Thaçi, që sot u deklarua lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme.

Nagavci ka shkruar në Facebook se kjo deklaratë e tij është e pritshme për dy arsye, derisa tha se presidenti i ndryshon gjithnjë qëndrimet e tij dhe se tani e ka qeverinë që atij i jep vullnetarisht kompetenca.

“Janë së paku dy arsye që kjo është deklaratë e pritshme, E para ky person gjithnjë ndërron qëndrimet e tij dhe atë publikisht, njejtë ka bërë dhe me deklaratat e tij për ndryshimin e kufijve. Dhe e dyta, tani më nuk i nevojitet të shpall gjendje të jashtëzakonshme për të marrë në duar pushtetin ekzekutiv që nuk ia njeh Kushtetuta. Tani e ka Qeverinë e tij që vullnetarisht i jep kompetencat që nuk i takojnë dhe madje përtej kësaj”, ka thënë ajo.


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kurrë nuk ka qenë entuziast për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se e ka pasur obligim kushtetues, ta adresojë kërkesën e partive politike për një hap të tillë, pas shtimit të rasteve me koronavirus.

Kreu i vendit e ka quajtur momentum të mbyllur, kërkesën e tij për gjendje të jashtëzakonshme në kohën e Qeverisë Kurti.

“Në jetën time e kam urryer fjalën e jashtëzakonshme. Unë kam pasur obligim kushtetues dhe ligjor që ta diskutojë dhe procedojë kërkesën e partive politike për gjendje të jashtëzakonshme, ajo që mund të them është se kurrë nuk kam pasur pretendim entuziast sa i përket asaj gjendje. Kam pasur për qëllim për të implementuar vullnetin e spektrit politik por para së gjithash shëndetin e qytetarëve”, ka thënë ai.