Liderët e Kosovës ishin njoftuar se mund të ndërtoheshin mure në Kosovë. Kjo kishte ndodhur në vitin 2001, saktësisht para 15 viteve. Mirëpo, tash, disa prej udhëheqësve të asaj kohe po deklarohen se s’kanë qenë në dijeni për një plan të tillë.
Ndërtimi i një muri që do ta mbajë të ndarë pjesën veriore të Mitrovicës prej asaj jugore nuk është ide e re e udhëheqësve serbë të veriut.
Një plan i tillë – me pretendimin se siguria do të arrihet përmes ndërtimit të mureve tek ura mbi lumin Ibër, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës që nga fundi i luftës – ka ekzistuar qysh para 15 vjetësh, në vitin 2001.
Në maj të vitit 2001 “Koha Ditore” pati zbuluar planin për ndërtimin e mureve tek ura e Ibrit, të hartuar nga kontingjenti francez i KFOR-it, që duhej të realizohej nga KFOR-i dhe administrata e OKB-së në Kosovë, UNMIK.
Plani i vitit 2001 nuk u jetësua edhe për shkak të ekspozimit të idesë nga “Koha Ditore”, shkruan gazeta në numrin e sotëm.
Por tani, 15 vjet më vonë, autoritetet lokale të komunës së Mitrovicës Veriore, kanë nisur ndërtimin e një muri, që thuhet se është për të ofruar siguri për këmbësorët, ndërsa ‘de facto’ forcon ndarjen e qytetit të Mitrovicës.
