Në AAB Teatrin “Faruk Begolli” u dha premiera e filmit Artistik “Tuneli”, prodhim i Radio Televizionit Shqiptar, me skenar dhe regji të Ilir Harxhit, me aktorët në rolet kryesore: Robert Ndrenika, Enver Petrovci, Sokol Angjeli, Arben Derhemi, Markela Dede, Naum Shundi, Mehdi Malka, etj.
Prezentë në premierën e këtij filmi në AAB Teatrin “Faruk Begolli” ishin regjisori dhe skenaristi Ilir Harxhi, si dhe aktorët Robert Ndrenika, Enver Petrovci dhe Sokol Angjeli.
Në konferëncën për media, regjisori i filmit Ilir Harxhi, tha se ajo që e ka shtyrë më së shumëti që ta realizojë këtë film është pikërisht tema e korrupsionit, që sipas tij, është një temë jo vetëm që është e përhapur në Ballkan, por është temë universale.
“Kuptohet kjo, është pak e veshur edhe me ngjyra kombëtare si ngjarje, por e përgjithshme është sepse unë kam tentuar që të kem gjithmonë një film me përmasa të universales. Filmi ka vite që kërkohej për t’u realizuar nga ana ime. Ka nisur me një tregim të një shkrimtari të njohur, i cili ishte për shoferin e kryeministrit në kohën e diktaturës dhe pastaj u kalua në ditët e sotme. Unë insistova prej shumë vitesh, prej gati shtatë vite që kur ky projket flinte në sirtarë, ishte ëndërr, e cila tashmë është bërë realitet”, tha regjisori Harxhi.
Ai tha se filmi “Tuneli” është bërë me shumë dëshirë, me shumë pasion dhe me shumë emocion nga i gjithë stafi që kanë kanë dhënë kontributin e tyre në këtë projekt artistik.
Ndërkaq, aktori Enver Petrovci, në fjalën e tij tha se regjisori Harxhi ka futur shumë energji në realizimin e këtij filmi dhe se, vazhdon ai, “është mekat mos me lujt në këtë film”.
“Në mënyrë private i ka bërë të gjitha. Aty ku ka energji pozitive, është mekat mos me lujt. Nuk kam pas dilema a me lujt a mos me lujt. Fatmirësisht ka qenë një ekip i shkëlqyeshëm”, tha aktori Petrovci.
Në këtë press-konferencë, foli edhe aktori Sokol Angjeli. Në fjalën e tij, ai tha se ky film trajton një realitet universal dhe se pret që të ketë sukses edhe në Kosovë.
“Çdo vepër artistike, jo vetëm kinematografike, por e çdo lloj zhanri, që të jetë me vlerë, duhet të ketë tre karakteristika: e para duhet të jetë origjinale, e dyta duhet të jetë cilësore dhe e treta duhet të jetë universale. Pikërisht ky film i ka këto të tria. Duke u kapur te universalja, unë jam i bindur për këtë sepse ky film do të ketë sukses edhe në Kosovë. Do të ketë sukses sepse edhe ju keni ministra, kryeministra, keni drejtorë të drejtorive, keni zëvendës ministra, që jam i sigurt që edhe ata, do të shohin veten e tyre në këtë film dhe se sa do të korigjohen, ajo është individuale”, tha aktori Angjeli.
Filmi artistik “Tuneli” bëhet fjalë për një tunel që duhet hapur në një fshat në Shqipëri, por që nuk do të hapet kurrë, sepse fondet e nevojshme të dhëna prej qeverisë gllabërohen nga një deputet dhe një kryetar komune. Viktimë e djallëzive të të cilëve bie edhe shoferi i Kryetarit të Shtetit, me prejardhje nga i njëjti fshat. /Gazeta KNN