Aktuale

Në të njëjtën kohë, protestë në Drenas dhe diskutim në Kuvend për rastin e 16 vjeçares

Sot në Drenas protestohet, kurse Kuvendi i Kosovës mban seancë lidhur me rastin e ngacmimit seksual të 16 vjeçares.
Sot në Drenas do të protestohet për rastin e abuzimit seksual me 16 vjeçaren nga mësimdhënësi e më pas edhe nga hetuesi policor.

Komuna e Drenasit ka njoftuar të gjithë qytetarët se sot, duke filluar nga ora 12:00 deri 13:30 do të mbahet protestë.

Në të njëjtën orë është paralajmëruar të mbahet edhe seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës lidhur me ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës nga Drenasi dhe përgjegjësinë institucionale.

Një pjesë e rrugëve të Drenasit do të jenë të bllokuara për automjete për shkak të protestës së paralajmëruar, transmeton “Insajderi”.

Rruga “Ajet Rrukiqi” nga shkolla e mesme e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe rruga “Ilaz Kodra” nga rrethi deri te objekti i Komunës, do të jetë e bllokuar për automjete, thuhet në njoftimin e Komunës.

Protestë për rastin e abuzimit me të miturën është mbajtur edhe dje para Stacionit të Policisë në Prishtinë.