Aktuale

Në Suharekë, preken nga Coronvirusi dy zyrtarë policorë dhe dy futbollistë

Pas 6 rasteve të reja të shënuara mbrëmë pozitive me virusin COVID-19 në qytetin e Suharekës, numri i të infektuarve nga kjo komuna ka arritur në 22 persona.

Lidhur me këtë çështje ka folur kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, e i cili për Front Online, ka konfirmuar që gjendja e tyre është stabile.

“Është e vërtetë që numri i të prekurve me Coronavirus në Suharekë ka arritur në 22. Me thënë të drejtën gjendja e tyre është stabile. Prej tyre deri më tani 1 është shëruar, një është afër shërimit dhe 2 të tjerë i kemi në Klinikën Infektive në Prishtinë. Prej tyre sot pritet që 1 të lirohet nga Klinika”, ka thënë ai për Front Online.

Muharremaj ka dhënë detaje edhe për gjashtë rastet e reja që u dolën mbrëmë pozitive nga kjo komunë, e ku sipas tij, dy prej tyre ishin raste të reja.

“Masat në Suharekë janë duke u respektuar mirëpo rasti dje ku dolën plus 6 të infektuar, 4 janë nga kontakti pra nga Semetishta ndërsa dy zyrtarë policorë janë të infektuar dhe janë raste të reja. Këtu ende nuk e kemi burimin mirëpo po presim të dhënë më zyrtare nga Instituti”, ka thënë ndër të tjera ai.

Në mesin e të infektuarve me virusin Korona, në Suharekë janë edhe dy futbollistë të “Ballkanit”, të cilët pritet që sot t`i vizitojë  nga kryetari për të parë më afër gjendjen shëndetësore të tyre.

“Mund të them që gjendja e të gjithë pacientëve që kemi komunikuar edhe përmes familjarëve është e qetë. Sot do të bëjmë një vizitë në Vraniç. I kemi të prekur dy djem të ri të cilët luajnë për klubin futbollistik ‘Ballkani’. Së bashku me trajnerin dhe kryetarin e klubit do t`i vizitojmë në mbrëmje, kuptohet që do ta mbajmë distancën dhe do të pajisemi me mjete mbrojtëse”, ka thënë ai.

Ndërsa për sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse dhe me staf mjekësorë të Qendrës Mjekësore Familjare në Suharekë, Muharremaj ka theksuar që vazhdimisht janë duke pranuar donacione dhe se në QKMF nuk është duke munguar asgjë.

“Ne marrim vazhdimisht donacione dhe sot kemi pasur edhe një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës , nga një djalë që punon në spital dhe na ka dhuruar pako me  mjete mbrojtëse në vlerë 1 mijë euro. Poashtu para disa ditësh patëm edhe një donancion prej 60 palë rroba dhe vazhdimisht kemi donacione dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Suharekë është e pajisur me të gjitha mjetet mbrojtëse që i nevojiten”, ka thënë ai.

the authorGazetaKNN