Aktuale

Në spitalin e Prizrenit vetëm në raste urgjente kryhen operime

Të gjithë ata pacientë që do t’u drejtohen dy spitaleve rajonale, atij të Gjakovës dhe të Prizrenit, për të kryer një ndërhyje kirurgjike, do të kthehen mbrapsht.

Operacionet, të cilat nuk kanë urgjencë, këto dy spitale kanë marrë vendim t’i reduktojnë deri në fillim të shtatorit, raporton KTV.

Mungesa e stafit, sidomos të anesteziologëve dhe ortopedëve, për drejtuesit e Spitalit të Gjakovës ishte arsyeja kryesore që i detyroi ata të marrin një vendim të tillë.

Mirëpo, për udhëheqësit e spitalit të Prizrenit, kjo praktikë e ndërprerjes së operacioneve jourgjente apo të ftohta, siç njihen, daton qysh nga paslufta.

Përveç kësaj, pushimet verore dhe angazhimi më i madh i stafit në rastet emergjente ka shtyrë edhe spitalin e Prizrenit ta reduktojë punën e kirurgjisë.

Por, për Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve, vendimi për reduktimin e operacioneve elektive është joprofesional.

Mirëpo, SHSKUK-ja ka bërë të ditur se nuk ka nxjerrë ndonjë vendim për reduktim të numrit të operacioneve jo emergjente.

Sipas zyrës së drejtorit të SHSKUK-së secili spital në përputhje me mundësitë dhe stafin ekzistues mundohet të organizojë punën e vet.