Aktuale

Në Shqipëri krijohet Fronti i Bashkuar Opozitar

Paraditen e së mërkurës u mblodh tryeza opozitare e paralajmëruar nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, MonikaKryemadhi, një ditë më parë, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me dosjen “Habilaj”.

Pas tryezës, Fronti i Bashkuar Opozitar ka dalë me një deklaratë të përbashkët për shtyp ku theksohet se, “fronti kërkon largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse dhe si ideatori dhe realizuesi i blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve. Krijimin e një qeverie të antimafias dhe reformës zgjedhore me mandat të përcaktuar që të çojë vendin drejt zgjedhjeve për të rivendosur legjitimitetin”.

“Ky Front i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent dhe të kryejë me shpejtësi, në përputhje me dispozitat kushtetuese e ligjore, hetimin për ish-Ministrin Sajmir Tahiri dhe në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane dhe te tjerë, të kryejë të gjithë veprimet e nevojshme për të vënë para drejtësisë të gjithë individët e implikuar në trafikun e drogës dhe të armëve, të zbuluar së fundmi. Të hetojë edhe lidhjet e ministrave të tjerë të kesaj qeverie me trafiqet dhe implikimin e tyre në bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës në 25 qershor 2017”, thuhet në deklaratë.

Kreu i Partisë Demokratike, Basha në një prononcim për mediat pas mbledhjes së opozitës së bashkuar, u shpreh se opozita do të kërkojë largimin e Ramës. “Është marrë vendimi për krijimi i një fronti opozitar kundër krimit. Pjesë e këtij fronti janë bërë të gjitha partitë që ishin në tryezë dhe ftesa qëndron për çdo parti dhe faktorshoqëror, intelektualë, botë akademike, përfaqësues të medias, sepse Shqipëria ndodhet para një gremine të vërtetë”, tha Basha. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ka vlerësuar krijimin e Frontit të Bashkuar Opozitar kundër krimit, i cili sipas saj, “i shpall luftë narkoshtetit”. Pas Tryezës së Opozitës, kryetarja e LSI-së u shpreh se, “tryeza që u krijua sot ishte një sinjal shumë i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë se tashmë ky Front do të nisë të gjithë angazhimin e tij për të pasur një asosacion, luftë kundër narkoshtetit”.