Aktuale

Në Rahovec fillon projekti për menaxhimin dhe mirëmbajtjen mbeturinave të ngurta

Ka filluar zbatimi i projektit për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e mbeturinave të ngurta në Komunën e Rahovecit.

Sipas njoftimit për media, kompania e cila është kontraktuar nga Komuna për të realizuar këtë projekt, punimet i ka nisur sot në mirëmbajtjen e mbeturinave në rrugën nga hyrja e qytetit të Rahovecit.

“Ecurinë e fillimit të projektit për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e mbeturinave e ka parë nga afër Muhamet Behra, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike i cili ka thënë se fillimisht janë duke u larguar mbeturinat në hyrje-dalje të qytetit të Rahovecit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Rahovecit.

Pas pastrimit të mbeturinave në hyrje të qytetit, do të vazhdohet me largimin e mbeturinave të ngurta edhe nëpër fshatrat si: Brestoc, Nagac, Retij, Zoqishtë, Bratotin dhe Vrajak. Vlera totale e këtij projekti, është rreth 20 mijë euro dhe bazuar në dinamikën e punimeve, largimi i këtyre mbeturinave pritet të përfundojë brenda vitit 2016./KosovaPress/