Aktuale

Në Podujevë fillon vjelja e parë e mjaltit

Në fshatin Ternavicë të Podujevës ka filluar vjelja e parë e mjaltit.

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu së bashku me zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) Vezir Januzi, kanë vizituar dy bletarë në fshatin Tërrnavicë, kanë vizituar bletarët Hilmi Syla e Esat Deda në fshatin Tërrnavicë dhe kanë marrë pjesë në vjeljen e parë të mjaltit, njofton kumtesa komunale.

“Komuna e Podujevës vitin që shkoi ka ndarë nga 10 shoqëri bletësh për 100 bletarë, por duke parë interesimin e fermerëve që të merren me bletari, kemi vendosur që edhe këtë vit të vazhdojmë me subvencionimin e bletarëve”, ka thënë me këtë rast kryetari Podujevës Agim Veliu.

Kryetari Veliu tha se subvencionet në bujqësi ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e ekonomive familjare, sepse po krijohen kushte për vetëpunësim dhe rritjen e të hyrave materiale.

MBPZHR për sivjet ka paraparë rritje të subvencionimit për çdo shoqëri bletësh nga 10 në 15 euro. /GazetaExpress/