Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, janë bërë homazhe te varri i tij në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Homazhe tek legjenda e futbollit kanë bërë qytetarë të shumtë, fytyra të njohura publike dhe disa prej krerëve institucional të vendit, si Kryetari i Kuvendit të Kosobës, Kadri Veseli, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.
Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se Vokrri ishte legjenda e Kosovës në futboll dhe asnjëherë nuk do të harrohet kontributi i tij për futbollin kosovarë.
“Është ditë e dhimbshme jo vetëm për familjen, Kosovën e Futbollin po bëhen një vit nga shkuarja në amshim e legjendës së futbollit, e kam pas mik të mirë dhe më kujtohet mirë takimi i parë para se të vijë në Prishtinë dhe të bëhet drejtor i klubit Prishtina, unë atëherë si kryetar nuk ka pas nevojë me lutë me iu kthy Kosovës dhe erdhi dhe na hapi rrugët pa të cilin futbolli nuk do ishte këtu që është edhe Kosova nuk do ishte e njohur siç është”, tha Beqiri.
Ish-nënkryetari i Partizanit të Beogradit, Branko Ruzic, po ashtu ishte i pranishëm të nderonte futbollistin Vokrri.
Ai tha se dëshira e tij të ishte në këtë përvjetor bëri që të vij këtu, por që nuk ka ardhur në mënyrë të organizuar.
Lulzim Berisha, udhëheqës i tifozëve Dardanët tha se është e vështirë të përjetohet humbja e Vokrrit. Ai tha se për çdo ndeshje vijnë tek varri i të ndjerit.
“E vështirë shumë e vështirë e kemi përjetuar largimin e tij, të gjithë do vdesim por humbja e tij është shumë e madhe për sportin kosovarë”, tha Berisha.
Ndërsa, djali i Vokrrit, Gramoz Vokrri ka falënderuar të gjithë të pranishmit që erdhën për të nderuar babanë e tij të ndjerë.