Në Komunën e Podujevës janë rikthyer sërish rastet me COVID-19. Mbrëmë atje janë konfirmuar katër raste te reja. Të infektuar kanë rezultuar babai dhe vëllau i gjinekologut nga fshati Pollatë, një infermiere e QKMF’së dhe një teknik i farmacisë. Sot nga kjo komunë nuk do të testohet asnjë mostër, por do të gjurmohen kontaktet e personave të infektuar, raporton Express.
Informacione rreth gjendjes në këtë qytet ka dhënë specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent.
Rama i ka thënë Gazetës Express se në mesin e atyre që dolën pozitiv mbrëmë është babai 77-vjeçar i gjinekologut dhe vëllau i tij 44-vjeçar.
Pozitive për COVID-19 ka dal edhe një infermiere e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila ishte kontrolluar te gjinekologu në fjalë, derisa rasti tjetër pozitiv është një teknik i farmacisë.
“Mbrëmë janë konfirmuar katër raste të reja në Komunën e Podujevës. Dy prej të infektuarve janë nga fshati Pollatë, pra babai dhe vëllau i gjinekologut që doli pozitiv para pesë ditësh. Dy rastet e tjera janë nga Podujeva, njëra është një infermiere e QKMF’së, por që ka qenë paciente e gjinekologut dhe tjetri është një teknik i farmacisë”, ka thënë Rama.
Rama ka treguar se sot vetëm do të gjurmohen kontaktet dhe se nuk do të përcillet për testim asnjë mostër.
Sipas saj, menjëherë pasi gjinekologu ka dal pozitiv, është mbyllur ordinanca e tij dhe janë testuar personat që kanë punuar me të.
“Sot nuk kemi dërguar asnjë mostër për testim, por jemi duke i gjurmuar kontaktet. Ordinanca e gjinekologut është mbyllë menjëherë pas ka rezultuar pozitiv dhe janë testu ata që kanë punu me të. Infermierja që ka punu me të në ordinancë ka dal negative, meqë ka pas pajisje mbrojtëse gjatë gjithë kohës”, ka treguar Rama.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbrëmë ka konfirmuar 37 raste të reja me COVID-19. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Lipjani, Peja, Prishtina, Prizreni, Podujeva, Zubin Potoku, Shtimja, Vitia dhe Zveçani.
‘Sot më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e shtatë (37) raste”, ka njoftuar Instituti.
Me këto raste, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 598. Në mesin e tyre, 123 pacientë janë shëruar, ndërsa 16 persona kanë vdekur.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.