Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB vazhdon trajnimi për infermierë, ndërsa në kryeqytet studentët ofrojnë shërbime falas për qytetarë

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, Kolegji AAB në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin AAB dhe Universitetin “Dokuz Eylül”nga Izmiri i Turqisë, kanë vazhduar të mbajnë trajnime për infermierët në temat “Kujdesi infermieror në kujdesin intensiv” si dhe “Kujdesi infermieror i bazuar në dëshmi”, organizuar nga Qendra e karrierës dhe të mësuarit gjatë tërë jetës.

Në kuadër të trajnimit “Kujdesi infermieror nën kujdesin intensiv dhe anestezion”, për infermierët ka ligjëruar e ftuara speciale Prof.Ass.PhD. Fatma Vural, nga Universiteti “Dokuz Eylül” nga Izmiri Turqisë.

Përmbajtja e ligjëratës së sotme ka të bëjë me kujdesin intensiv në repartet kirurgjike, pranimi i pacientëve në kujdesin intensiv kirurgjik dhe monitorimi i pacientëve në kujdesin intensiv në kirurgji.

Këto trajnime që po mbahen sot do të zgjasin nga ora 09.00-14.00, të cilat janë të akredituara nga Bordi për Edukim të Vazhdueshëm Mjekësor i Ministrisë së Shëndetësisë. Pjesëmarrësit aktivë do të fitojnë 9 pikë kredituese, ndërsa pjesëmarrësit pasivë fitojnë 6 pikë kredituese.

“Qendra e karrierës dhe të mësuarit gjatë tërë jetës” që funksionon në kuadër të Institutit AAB, organizon trajnime për profesionistë të kujdesit shëndetësorë, që kërkojnë njohuri të reja plotësuese profesionale. Kjo qendër ofron seanca të ndryshme këshilluese, seminare, kurse trajnimi, punëtori, simpoziume dhe konferenca; gjithashtu harton dhe implementon projekte shkencore, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e infermierisë në Kosovë.

Gjithashtu, në kuadër të shënimit të 12 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, sot studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, po ofrojnë shërbime infermierore falas për qytetarët e Prishtinës në Sheshin “Nëna Terezë”.

Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 10.00-15.00. Qytetarët e interesuar do të kenë mundësi të bëjnë matjen e shtypjes së gjakut; matjen e sheqerit në gjak; matjen e peshës trupore si dhe të marrin këshilla mjekësore.