Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u zhvillua debat për shëndetin mendor

Sot, në Kolegjin AAB u mbajt debat me temën “ Le të flasim – shëndeti mendor i të rinjve”, ku u diskutua për specifikat , çrregullimet dhe zgjidhjet e problemeve të shëndetit mendor.

Në këtë tryezë, dekanja e Fakultetit të Psikologjisë në Kolegjin AAB, Mimoza Kamberi, shprehu brengën e saj lidhur me të rinjtë e vendit tonë të cilët nuk janë të inkuadruar shumë me këso aktivitetesh për shëndetin e të rinjve.

“Jo rastësisht lindi edhe ideja e mbajtjes së një tryeze diskutimi me një temë të tillë, kur dihet mirë se të rinjtë tanë në Kosovë, janë ndoshta kategoria më e lënë pas dore në trajtimin e duhur e aq më pak në ofrimin e shërbimeve të nevojshme për të siguruar një ndihmë sociale, qoftë psikologjike, sikur bashkëmoshatarët e tyre qe jetojnë në Evropë dhe në botë”, u shpreh dekanja Kamberi.

Ndërsa, përfaqësuesja nga fondacioni “Together Kosova”, Anila Hajdari, shpalosi qëllimin e projektit “Nuk je vet” , ku kjo platformë funksionon në mënyrë anonime dhe ndihmon të rinjtë lidhur me shëndetin mendor.

“Pjesa kryesore se çka ka dashur të ju ofrojë të rinjve Fondacioni “Together Kosova” , duke e parë numrin, duke e parë stigmatizimin e madh që e kanë e gjithë bota por më së shumti edhe ne në Kosovë, edhe në rajon, rreth problemeve me shëndet mendor e ka ofruar këtë platformë në mënyrë anonime do të thotë për të shuar atë stigmatizimin që ne e kemi me shëndet mendor”, u shpreh Anila Hajdari.

Ajo, tregoi se ideja për krijimin e këtij projekti erdhi pas hulumtimeve të bëra pas luftës, për të kontrolluar numrin e vetëvrasjeve që janë bërë në Kosovë, duke ju ofruar mundësi të rinjve që të bëjnë pyetje dhe të marrin këshillim në mënyrë anonime dhe profesionale lidhur me stresin, depresionin, ankthin dhe çdo gjë tjetër.

Tutje, pjesë e këtij debati ishte edhe ligjëruesi në Kolegjin AAB, Ertan Basha, i cili tha se arsyeja kryesore që i sjellë të rinjtë deri tek problemi me shëndet mendor janë kushtet ekonomike.

“Kushtet ekonomike janë më të rëndësishmet që ndikojnë në shëndetin mendor, e cila është e dominuar në Kosovë shumë, të rinjtë nuk kanë perspektivë për punë, nuk janë në gjendje të mirë ekonomike dhe për atë arsye shkaktohen edhe çrregullimet e të menduarit ose ndryshe të emocioneve”, u shpreh profesori Basha.

Në këtë tryezë të ftuara ishin edhe Vahide Morina dhe Anisa Zaçe, të cilat shprehën kënaqësinë që janë pjesë e këtij debati si dhe treguan që kjo platformë, ky projekt është duke funksionuar edhe në Shqipëri, me një hov të madh.

Në kuadër të kësaj tryeze u zhvillua edhe një debat, në mes studentëve dhe panelistëve pjesëmarrëse./GazetaKNN/