Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u shënua Dita Botërore e Mbulimit Universal Shëndetësor

Me moton “Shëndet për të gjithë – Mbaje Premtimin”, sot në Kolegjin AAB  me iniciativë të Fakultetit të Infermierisë u organizua aktivitet për të shënuar Ditën Botërore të Mbulimit Universal Shëndetësor.

Me këtë rast, prorektori për çështje mësimore të Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi u shpreh se kjo ditë është e veçantë, pasi që ka të bëjë me faktin se që ne duhet të bëjmë përpjekje që politikat shëndetësore ta prekin secilin pavarësisht cilës shtresë i takon. Prof. Vehapi theksoi se ky është rast i mirë pasi që po flitet për shëndetin, pra çdo herë duhet të lëmë hapësirë për edukimin lidhur me shëndetin.

Prorektori Vehapi theksoi se Kolegji AAB është gjithmonë përkrahës në iniciativat që janë në dobi të studentëve.

“Ne si AAB  kemi pasur kaherë iniciativën që bashkë Fakulteti i Sportit, drejtimet shëndetësore, Fakulteti i Arteve me marrë një fushatë ku ne promovojmë mënyrën e shëndetshme të të jetuarit, për shembull me fotografi, me informacione, me vizatime të cilat nganjëherë duke ecur na përkujtojnë që e kemi harruar vetveten”, u shpreh Vehapi.

Në këtë tryezë u bënë dy prezantime nga ligjëruesit Majlinda Gjocaj dhe Lulzim Qela të cilët shtjelluan shumë gjëra me rëndësi që lidhen rreth shëndetit.

Në fjalën e saj, Gjocaj në prezantimin e saj para stafit dhe studentëve të Kolegjit AAB tregoi arsyen se si kjo ditë është caktuar si Dita Botërore e Mbulimit Universal.

“Data 12 dhjetor është caktuar si Dita Botërore e Mbulimit Universal Shëndetësor, duke iu referuar besimit se kur dy numra janë të njëjtë sjellin kujtesë dhe në këtë mënyrë askush të mos mbetet pa u kujdesur për shëndetin, kjo datë është caktuar nga Deklarata e Kombeve të Bashkuara. Mbulimi Universal Shëndetësor është që të gjithë të kenë mbulim shëndetësor pa vështirësi financiare”, u shpreh Gjocaj.

Ndërsa, në prezantimin e tij, prof. Lulzim Qela foli për kornizën ligjore të Kosovës për shëndetësi, për të cilën tha se është e harmonizuar me qëllimet globale, mirëpo ka ngecje të mëdha në aspektin financiar dhe në shërbime shëndetësore.

“Barrierat financiare, inputet, furnizimi i dobët me barna dhe aparatura, infrastruktura dhe rënia e besimit të qytetarëve janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në Kosovë” theksoi ndër të tjera Qela.

Kështu, kjo tryezë diskutimi përfundoi me një bashkëbisedim në mes panelistëve dhe studentëve të Kolegjit AAB./GazetaKNN/