Për nderë të 21 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, në Kolegjin AAB, u bë promovimi i përmbledhjes së poezive “ Poema për Natashën”, të poetit rumun Ion Deaconescu, përkthyer në shqip nga Baki Ymeri.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij, uroi të gjithëve Ditën e Poezisë si dhe përgëzoi poetin Ion Deaconescu për krijimin e kësaj vepre duke e vlerësuar se ky libër është i mbushur me dashuri dhe dhimbje.
“Një libër me poezi që autori në tërësi ia kushton bashkëshortes së tij Natashës, e cila ka kaluar në amshim por e cila edhe atëherë edhe tash ishte dhe mbeti frymëzim për poetin Deaconescu. “Poema për Natashën”, është një libër i mbushur me dashuri dhe dhimbje, edhe pse dashuria e dhimbja duket se janë personale, ato nuk i përkasin vetëm autorit, ato i përkasin lexuesit”, u shpreh rektori Tafa.
Me rastin e promovimit, poetit të njohur rumun, Ion Deaconescu, iu akordua edhe Çmimi “Dardanika”, nga Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”.
Poeti Deaconescu, u shpreh i nderuar për këtë çmim që iu nda dhe falënderoi Kolegjin AAB për mundësinë e promovimit të këtij libri.
Në këtë promovim e pranishme ishte edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku e cila përgëzoi Kolegjin AAB për këtë organizim duke thënë se ministria vazhdon t’a mbështes Kolegjin AAB.
“Pa dyshim se përkrahja dhe bashkëpunimi i ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për Kolegjin AAB do të vazhdoj sepse ky Kolegj mbetet njëri ndër kolegjet private më të dëshmuara si në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë, infrastrukturës me standarde evropiane poashtu edhe në aktivitete të këtilla siç po organizohet sot”, u shpreh Morina-Bunjaku.
Tutje, drejtuesi i Shoqatës së Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, Jeton Kelmendi, tha se ky çmim për poetin e njohur, Ion Deaconescu, përveç që paraqet një vlerësim për artin poetik të tij, sipas tij, paraqet edhe një urëlidhëse ndërmjet kulturës së shqiptarëve dhe rumunëve.
Ndërsa, Bujar Tafa, studiuesi i letërsisë, vlerësoi lartë veprën e krijuar nga poeti rumun duke thënë se përjetimet përmes poezisë shpërndahen tek të gjithë.
“Poema për Natashën është një himn për dashurinë, është një himn për dhimbjen që shkakton humbja e së bukurës. E veçanta dhe më e rëndësishmja e tërë kësaj është se këto përjetime përmes poezisë si gjuhë universale të shpirtit shpërndahen tek të gjithë”, tha studiuesi Bujar Tafa.
Promovimi i përmbledhjes me poezi “Poema për Natashën” është mbajtur në një organizim nga Kolegji AAB dhe Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, të enjten. /GazetaKNN/