Në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB, në prani të studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv, u bë promovimi i librit “Marrëdhëniet me Publikun”, i autorit Alban Tartari.
Në këtë promovim ishte prezent edhe drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, i cili është nxjerrë edhe si model në këtë libër për sukseset e tij në ndryshimin e imazhit të operatorit Vala.
Drejtori Mustafa në fjalën e tij para studentëve tha se është rritur me një perceptim ku drejtori është i pa qasshëm, i pa arritshëm, ndërsa ai që nga koha kur ka marrë postin e drejtorit në Aeropot e deri më tani që është drejtor i Telekomit të Kosovës, është munduar që ta ndryshojë këtë përceprim.
“Mendoj që sado pak kam arritur me e thy apo me e ndryshu deri në një masë të caktuar konceptin e shikimit të drejtorëve të cilët i kemi në vend. Qëllimi i im është ë të jem i arritshëm për të gjithë ata që kanë nevojë që të më takojnë, ku mund të bashkëbisedojmë dhe të shqyrtojmë gjëra të shumta qoftë për Telekom apo edhe për diçka tjetër”, u tha studentëve drejtori Mustafa.
Ai u rekomandoi studentë të Komunikimit Masiv që ta lexojnë librin “Marrëdhëniet me Publikun”, të autorit Alban Tartari, duke u thënë se nga ky libër mund të përfitojnë shumë profesionalisht për këtë fushë.
Mustafa porositi studentët, gjithashtu që të jenë të kujdesshëm në paraqitjet e tyre dhe të jenë vetvetja çdoherë.
Ndërsa, autori i librit Alban Tartari tha Marrëdhëniet me Publikun janë një pjesë e pandashme e demokracisë dhe shoqërive demokratike.
Ai tha se në këtë fushë, Kosova është shumë përpara Shqipërisë, me arsyetimin e periudhës së regjimit kur Shqipëria ka qenë e mbyllur, ndërsa Kosova ka qenë më e hapur.
Gjithashtu, Tartari u dha shumë leksione studentëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv mbi praktikat me të mira të Marrëdhënieve me Publikun, të cilat edhe i ka përmbledhur në libër.
Në fund të këtij promovimi u zhvillua edhe një debat ku studentët e Kolegjit AAB si dhe profesorët e këtij kolegji parashtruan pyetje të cilave iu përgjigjën autori i librit si Alban Tartari si dhe
drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Libri “Marrëdhëniet me Publikun” i autorit ka për fokus Marrëdhëniet Publike si në teori ashtu edhe praktikë, ku autori pos që ka përdorur literaturë nga studiuesit me eminentë botërorë të kësaj fushe, ka aplikuar edhe përvojën e vetë 10 vjeçare si dhe përvojën e shumë njerëzve të cilët kanë arritur sukseset më të mëdha në trojet shqiptare sa i përket marrëdhënieve me publikun. Libri është mjaft voluminoz ku ka 15 kapituj dhe gjithsej 365 faqe.