Në Kolegjin AAB, para studentëve dhe stafit akademik, u promovua libri “Kapërcimi i vetmisë” i prof. dr. Muhamet Mustafa.
Ky libër rrëfen për jetën e autorit, tregon për përpjekjet dhe sakrificën e gjeneratës së tij për avancimin e statusit politik dhe juridik të Kosovës dhe të pozitës së shqiptarëve në ish Jugosllavi, përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se libri ‘Kapërcimi i vetmisë’ hyn në kategorinë e atyre librave ku autorët e bëjnë vetën libër.
“Natyrisht, ky libër është tejet i vogël për me e nxan jetën e prof. Muhamet Mustafës dhe biografinë e tij. Mirëpo sido që të jetë, gjeneratave të ardhshme do të ju shërbejë vademekumi ku janë të përfshira të paktën ato gjëra më të thjeshta, më elementare që autori i ka përfshi në këtë libër”, tha rektori Tafa.
Rektori Tafa foli në këtë promovim edhe për raportet që ka pasur dhe ka me autorin e librit prof. Muhamet Mustafa, të cilat sipas rektorit kanë qenë dhe janë të shkëlqyera.
Ndërsa, Faton Avdullahu, studiues i mendimit politik shqiptar, u preferoi studentëve të Kolegjit AAB që ta lexojnë këtë libër, ngase ka shumë gjëra për të mësuar aty.
“Në të shkruhet për periudhat në të cilat, shumë pak është shkru dhe është folur shumë. Ka nevojë ende mendimi politik shqiptar, mendimi ekonomik kulturor që të shkruhet për ato periudha”, tha Avdullahu.
Ndërsa, autori i librit “Kapërcimi i vetmisë”, prof. dr. Muhamet Mustafa, në fjalën e tij tha se qëllimi librit është që të lërë gjurmë që historianët të mund ti ndjekin dhe të thonë të vërtetën për Kosovën.
“Mendoj se kam bërë mirë që e kam shkru këtë libër, në mënyrë që të rinjtë të kuptojnë se sa e vështirë ka qenë rruga drejt formimit të shtetit të Kosovës. Ka qenë shumë e vështirë për shkak se kemi qenë të vetmuar, kemi qenë pak a shumë të nëpërkëmbur dhe jo të mirëkuptuar”, tha autori Mustafa.
Ai tha se titulli i librit është nga pak letrar, libri nuk është letrar dhe vazhdon ai, “nëse është dashur diçka të sakrifikoj, kam sakrifikuar më shumë stilin se sa përmbajtjen, përmbajtja është e tëra, ndërsa stilit mund t’i gjenden ‘behane’ aty këtu”.
Në fund të këtij promovimi kishte edhe pyetje të studentëve, të cilave iu përgjigj autori i librit ‘Kapërcimi i vetmisë’, Muhamet Mustafa.