Me rastin e “3 Majit – Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit”, në Teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB u prezantua një hulumtim nga Institutin Kosovar për Media dhe Komunikim (IKMK), me temën se në cilin nivel është liria e shtypit në Kosovë.
Ky prezantim u pasua edhe me një debat i organizuar në bashkëpunim më Fakultetin e Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB, ku penalistë ishin drejtues të mediave si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Prezantimin e këtij hulumtimi e bënë drejtuesit e këtij hulumtimi nga IKMK, Resul Sinani si dhe Kaltria Ajeti, rezultatet e të cilit ishin në harmoni me rezultatet e Freedom of The Press nga Freedom House, ku thuhet se ‘Liria e Shtypit në Kosovë është pjesërisht e lirë”.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati i përgëzoi ata për këtë hulumtim, duke thënë se ky është edhe një hap para i Kosovës drejt përmirësimit të nivelit të Lirisë së Shtypit në Kosovë.
Ai shtoi se rezultatet e këtij hulumtimi janë mesatare, ashtu si edhe në të gjithë sektorët e tjerë në Kosovë, qoftë atë ekonomik, politike etj.
“Sa i përket ligjeve, nuk kemi vërejtje, por kemi deficit të sundimit të ligjit”, theksoi deputeti Ferati.
Ndërsa, Deputetja nga radhët e VV-së, Shqipe Pantina, në fjalën e saj i përmendi grupe faktorësh , të cilët sipas saj, po e cenojnë lirinë e medias e ato janë: 1 Sundimi i ligjit, 2. Mungesa e Zhvillimit Ekonomik, 3. Mekanizmat që e rregullojnë çështjen e mediave dhe 4. Përgjithësimi.
Edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, në fjalën e saj tha se gjendja e lirisë së Shtypit në Kosovë është mesatare, mirëpo sipas saj, janë mediat online që llogariten të jenë mbi 300, për të cilat do të duhej një rregullator.
Në këtë debat morë pjesë edhe drejtues të mediave në vend si: Eugen Saraqini nga RTV21, Gazmend Syla nga Klan Kosova, Leonard Kerquki nga Gazeta Express si dhe Astrit Gashi nga Gazeta Blic.
Drejtuesit e mediave përgëzuan institutin IKHK për këtë hulumtim si dhe dhanë vlerësimit dhe sugjerimet e tyre për të ardhmen.
Në fund të këtij prezantimi, studentët e Kolegjit AAB bënë pyetje, të cilave iu përgjigjën penalistët.