Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u mbajt tryezë debati për suksesin e grave nga Kosova dhe rajoni

Sot në Kolegjin AAB u mbajt tryezë diskutimi me qëllim të promovimit të suksesit që kanë arritur gratë dhe vajzat në Ballkanin Perëndimor.

Kolegji AAB në bashkëpunim me OJQ “Lady” Balkan Women Association (BWA), organizuan këtë aktivitet dhe të pranishme për t’i treguar sfidat e tyre ishin Sanija Murati, drejtoreshë e Organizatës “Lady”, Vjosa Berisha, drejtoresha e PriFest Festival dhe Zana Tabaku, Ceo-Founder & CEO në Appdec.

Sanija Murati, drejtoresha e Organizatës “Lady”, shpjegoi sfidat që ka kaluar me ardhjen e saj në Kosovë dhe tregoi edhe me vështirësitë që është ballafaquar gjatë kësaj kohe, por sipas saj, për ta fuqizuar rolin e gruas në shoqëri padyshim që duhet rrezikuar që të kemi sukses në të ardhmen.

Historinë e saj e tregoi edhe Vjosa Berisha, drejtoresha e PriFest Festival, e cila foli për eksperiencën e saj dhe suksesin që ka arritur deri më tani ku padyshim që nuk ishte e lehtë aspak, dhe sipas saj, është e rëndësishme të fillosh të punosh herët pasiqë puna është e rëndësishme dhe mund t’i arrish ambiciet e tua.

Ndërsa themeluesja e kompanisë “Appdec”, Zana Tabaku, tregoi se në profesionin që ushtron, njerëzit ende janë paragjykues pasi që profesionin si IT nuk mund ta ushtrojë një grua sepse sipas të tjerëve ushtrohet vetëm nga meshkujt, por me sakrificë të madhe, ka arritur të ju bëjë ballë të gjithëve.

Ndërsa gjatë këtij debati u prezantua edhe libri “Woman Book” ku ky libër do të botohet në fund të muajit nëntor, i cili do të përmbajë 60 histori jete dhe suksesi i vajzave dhe grave nga Kosova dhe rajoni.

Qëllimi i këtij libri është prezantimi i storjeve të suksesit të vajzave dhe grave duke ndarë përvojat, punën, emocionet në këtë libër, si dhe ideja e këtij libri është se në fund do të jetë një hapësirë e zbrazët që secili person që e lexon mund t’a shkruajë historinë e vetë aty.

Në fund të këtij debati, panelistet zhvilluan edhe një bashkëbisedim me studentët e Kolegjit AAB./GazetaKNN/