Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u mbajt ligjëratë me temën “Si ta zbulojmë kancerin e gjirit“

Me qëllim të vetëdijësimit për kancerin e gjirit, në Kolegjin AAB u mbajt ligjëratë nga Dr.Shkëndije Nuza me temën “Si ta zbulojmë kancerin e gjirit“.

Me këtë rast, dekani i Fakultetit të Radiologjisë, Bujar Gjikolli, përshëndeti këtë aktivitet dhe theksoi se këso iniciativash planifikojmë që të mbajmë edhe në vitet në vijim, pasi që kjo sëmundje është mjaft e rrezikshme.

“Kjo është sëmundje shumë e rrezikshme në përhapje dhe vazhdimisht në rritje por e cila nëse diagnostifikohet herët, shumë lehtë edhe trajtohet dhe në fakt thuhet që kalon në sëmundje kronike”, kështu u shpreh dekani Bujar Gjikolli.

Ndërsa, Radiologja Shkëndije Nuza, ligjëruesja për temën “Si ta zbulojmë kancerin e gjirit”, theksoi se qëllimi i këtij aktiviteti është që të sensibilizohen moshat e reja që ata pastaj t’i vetëdijësojnë familjarët e tyre, pasi që është shqetësuese vetëdijësimi i popullatës sonë lidhur me kancerin e gjirit.

Tutje, dr. Nuza shtoi se muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, pasi që në këtë muaj sensibilizohet e mbarë bota.

Radiologja Shkëndije Nuza, këshilloi femrat që të mësohen të bëjnë vet-ekzaminimin. ““Duhet të mësohet çdo femër që të bëjë vet-ekzaminim, për arsye se kjo është ndihma më e madhe që i ofrohet vetvetës”, u shpreh dr. Nuza.

“Faktorët që na rrezikojnë nga kjo sëmundje ndahen në faktorë të kontrollueshëm dhe të pakontrollueshëm si: mosha, gjenetika, cikli menstrual, lindja e fëmijëve. Secila nga ne mund ta bëjmë vetëekzaminimin para pasqyrës përmes mollëzave të gishtërinjve në mënyrë rrethore por jo me shtypje vetëm me lëvizje sipërfaqësore”, shtoi Shkëndije Nuza.

“Faktorët të cilët nuk mund të kontrollohen është vetë të qenurit femër është faktor i rrezikut numër 1, pasi që femrat janë më të rrezikuara, sëmuren edhe meshkujt por vetëm 1 për qind e gjithë popullatës është që shfaqet kanceri i gjirit tek meshkujt”, shtoi dr. Nuza.

Vlen të përmendet se sipas të dhënave të fundit të QKUK-së rreth 200 raste janë zbuluar vetëm në këtë vit në Kosovë me kancer të gjirit./GazetaKNN/