Arsim & Kulturë

Në Kolegjin AAB u diskutua për rolin e logopedit në Kosovë

Me iniciativën e Klubit të Debatit të Fakultetit të Shkencave Sociale të Kolegjit AAB, sot u organizua debat me temën “ Logopedia në Kosovë – Roli i logopedit”, ku u diskutua për rëndësinë dhe rolin e logopedit si dhe vështirësitë qe hasin logopedët në këtë profesion.

Me këtë rast, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale të Kolegjit AAB, Hysen Kasumi, përshëndeti këtë aktivitet duke shtuar se studentët kanë mundësinë që të njihen më shumë rreth përvojave të ekspertëve të fushës së logopedisë, pra Dekani Kasumi shtoi se Kolegji AAB gjithmonë përkrahë iniciativa të cilat janë në dobi të studentëve.

Luljeta Kabashi, me profesion logopede, duke shpjeguar për historikun e logopodisë tha se nuk është një shkencë e re në Kosovë, por që nga viti 1970 ajo funksionon tek ne. Tutje, znj. Kabashi theksoi se logopedia është lëmi e gjërë e cila përfshin fusha të shumta, ku në theks ka parandalimin, zbulimin e hershëm, diagnostifikimin adekuat dhe trajtimin nga profesionistët e fushës.

Ajo foli edhe për profesionin e logopedisë ku shtoi se: “Logopedi është profesionist i pavarur, por bashkëpunon ngushtë me profesionista si psh psikologu klinik dhe ai shkollor, pedagogun special, audiologët, otorinolaringolët që do të thotë një spektër i gjërë i profesionistëve bashkëpunojnë për të arritur një diagnostifikim të drejtë por edhe një trajtim adekuat”, tha Luljeta Kabashi.

Znj.Kabashi në fjalën e saj theksoi shqetësimin se institucionet shkollore në Kosovë nuk kanë logoped dhe është e nevojshme që kjo praktikë të ndryshoj, veçanërisht në institucionet parashkollore kur është faza që fëmijët fillojnë të flasin.

Ndërsa, Eksperti i Shkencave Terapeutike, Miran Xhelili, foli për rolin dhe rëndësinë e logopedëve ku  theksoi se roli i logopedit fillimisht është parandalues nëse problemet nuk janë shfaqur ende, por nëse problemet janë shfaqur tek fëmija atëherë është jashtëzakonisht i rëndësishëm intervenimi i hershëm.

Eksperti i Shkencave Terapeutike, Miran Xhelili, po ashtu theksoi se është shumë e rëndësishme që fëmijët të dërgohen në institucione parashkollore për t’i shmangur problemet në të folur, sepse qëndrimi vetëm me prindërit mund të sjell këtë problem.

Në fund të debatit, u realizua bashkëbisedim në mes panelistëve dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale të Kolegjit AAB./GazetaKNN/